KOMENT – Gjermania frenon projektet e Macron për Europën

“Der Spiegel”: Iniciativa europiane e presidentit francez ka vdekur dhe është varrosur vetëm pas shtatë muajve

BERLIN, 18 prill /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron i shikon projektet e tij për rithemelimin e Europës gjithnjë e më të rrezikuara për shkak të pengesave me Gjermaninë e Angela Merkel.

Rreth një vit pas zgjedhjes së tij si president i Francës, me një dogmë shumë pro-europiane, pasuar nga shpalljet në të dyja anët e Rinit për një kapërcim të domosdoshëm të BE-së postBrexit, ka ardhur koha e gjuhës së drunjtë.

“Kjo duket shumë e vështirë dhe për mendimin tim duhet të lindë vetëm nga reformat”, thekson Stefani Weiss, analist në fondacionin gjerman ”Bertelsmann”.

E përjavshmja “Der Spiegel” shkon më larg kur thotë se “iniciativa europiane e presidentit francez ka vdekur dhe është varrosur vetëm pas shtatë muajve”.

”Mbërritja të enjten në Berlin e Emmanuel Macron, në vazhdën e fjalimit të tij në Parlamentin Europian, do të jetë rasti për të konstatuar thellësinë e varrit. Dhe kjo përfshin tashmë arsenalin për riforcimin e mbrojtjes së Europës”, shton ajo.

– Përcaktuesi sirian –

Më shumë se fjalimet e mëdha, sulmet në Siri kanë shërbyer si përcaktuese.

Brenda Bashkimit Europian, vetëm Franca dhe Britania e Madhe, vend që po përgatitet të largohet nga blloku, janë bashkuar me SHBA-në për bombardimet.

Gjermania ka refuzuar çdo pjesëmarrje duke mbështetur diplomacinë.

Ky qëndrim i Angela Merkel, nëse shpjegohet nga kufizime të rrepta parlamentare gjermane dhe pacifizmi thellësisht i vendosur nga opinioni publik, nuk është më pak i diskutueshëm, ashtu si në vitin 2011, kur Gjermania abstenoi gjatë një votimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së duke autorizuar përdorimin e forcës për mbrojtjen e popullsisë civile në Libi.

Për të përditshmen “Die Welt”, aktualisht, Macron, i cili kohët e fundit kishte ngritur zërin për domosdoshmërinë e Europës për t’u mbështetur në veten e saj përballë izolacionizmit amerikan, po mbështet presidentin Trump në çështjen e konfliktit sirian dhe jo Merkelin.

– Bllokimi për euron –

“Gjermania është vendosur mes një mungese të vullnetit dhe kapacitetit për të reaguar dhe me Sirinë ka treguar se ajo nuk mund të pretendojë statusin e fuqisë dominuese në Europë”, theksoi Thomas Jager, profesor për marrëdhëniet ndërkombëtare në Këln.

Arsenali tjetër i madh i Emmanuel Macron, reforma e zonës euro, me krijimin e një buxheti autonom për të ndihmuar investimet apo një ministër europian Financash nuk është pritur mirë.

Qeveria e re gjermane, politikisht shumë e brishtë, shfaq një skepticizëm në rritje.

Ajo i qendron mendimit tradicional për të mos paguar për të tjerët.

Familja konservatore e Angela Merkelit shprehu këtë javë të gjitha gabimet që mendonte për projektet e presidentit francez dhe vendosi kushte strikte për atë që parashikon krijimin e një Fond Monetar Europian. (Nga Yacine Le Forestier)/ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.