Haradinaj takim me Mogherini-n: Kosova duhet ta marrë liberalizimin e vizave

TIRANË, 18 prill /ATSH – I. Vata/ – “Kosova ka shënuar progres në shumë procese të rëndësishme, të nevojshme për integrimin e vendit në familjen europiane dhe duhet të vlerësohet që Kosova të marrë liberalizimin e vizave”, ka deklaruar sot Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një darkë pune të zhvilluar me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini.

Në një postim në statusin e tij në Facebook kryeministri i Kosovës, Haradinaj shprehet: “Darkë pune e Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor me Federica Mogherinin, Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë”.

Më tej, Haradinaj shton se “Kosova ka shënuar progres në shumë procese të rëndësishme, të nevojshme për integrimin e vendit në familjen europiane dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj. Është një proces i gjatë për të cilin jemi të përkushtuar si Qeveri, prandaj është e rëndësishme që kjo të vlerësohet dhe Kosova duhet të marrë liberalizimin e vizave.”

“Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe me të drejtë pret që çështja e vizave të jetë çështje javësh,” shkruan Haradinaj. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.