ATHINË – Kotzias: Greqia po punon sistematikisht për nxitjen e marrëdhënieve me Shqipërinë

154

ATHINË, 18 prill /ATSH/ – Greqia është mbështetëse prej një kohe të gjatë e zgjerimit të Bashkimit Europian, me kërkesën e qartë se kushtet e vendosura, përfshirë respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe marrëdhëniet e mira me fqinjët, do të plotësohen dhe zbatohen në rastet respektive të çdo vendi kandidat, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme greke, me rastin e paraqitjes nga ana e Komisionit Europian të paketës së zgjerimit të BE-së.

”Progresi domethënës në dialogun Beograd-Prishtinë, progresi thelbësor dhe i qëndrueshëm i Shqipërisë përsa u takon pesë prioriteteve dhe progresi domethënës i Maqedonisë në reforma, që BE i konsideron urgjente, janë vlerësuar nga Greqia si interes i madh europian, rajonal dhe grek në Ballkanin Perëndimor”, shton deklarata.

”Si një vend fqinj, Greqia po punon sistematikisht të nxisë marrëdhëniet e saj me Shqipërinë dhe me Maqedoninë”, thekson ajo.

”Veçanërisht përsa i takon Shqipërisë, vendi ynë është i përqëndruar te të drejtat e minoriteteve dhe pronës, në nevojën e respektimit të marrëveshjeve dhe në luftën efektive kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke, me rastin e paraqitjes nga ana e Komisionit Europian të paketës së zgjerimit të BE-së./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.