STRASBURG – Juncker: Ballkani Perëndimor nuk duhet t’i largohet perspektivës së BE-së

STRASBURG, 17 prill /ATSH-AA/ – Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker deklaroi sot se shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet t’i largohen perspektivës së BE-së dhe paralajmëroi se ne të kundërtën paraqitej rreziku i kthimit në vitet ’90.

Juncker mbajti një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit Evropian (PE), që po zhvillohet në Strasburg.

Pas fjalimit të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në Asamblenë e Përgjithshme, fjalën e mori Juncker, i cili vlerësoi fjalët e Macronit për të ardhmen e BE-së dhe për “sovranitetin europian”.

Duke rikujtuar se BE në vitin 2003 ka dhënë premtime për shtetet e Ballkanit për perspektivën e së ardhmes, Juncker thotë se “unë nuk jam naiv, jam në dijeni të problemeve”.

”Jam në dijeni të përpjekjeve që duhet të tregojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Nëse i largojmë këto shtete nga perspektiva e BE-së, do t’i përjetojmë përsëri ngjarjet që i përjetuam në vitet 1990. Nuk dua që Ballkani Perëndimor të kthehet përsëri në luftë”, deklaroi ai./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.