Marrja e rekomandimit, Basha: Nuk është momenti për të festuar, por për të punuar

TIRANË, 17 prill/ATSH/- “Rekomandimi i Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë është një vendim i rëndësishëm që i paraprin takimit të Këshillit Europian në 28-29 qershor 2018, kur vendet anëtare do të vendosin për hapjen e negociatave me Shqipërinë,” shprehet kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar sot pas marrjes së rekomandimit për hapjen e negociatave me BE. Nga Berlini, Basha thotë se ky nuk është një moment për të festuar, por për të punuar.

“Sot nuk është momenti për të festuar, por për të punuar. Disa nga vendet kryesore Europiane janë skeptikë për Shqipërinë, dhe kërkojnë arritje dhe prova të vërteta, veçanërisht në shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Një nga këto vende është Gjermania, parlamenti i së cilës është ende i pavendosur për qëndrimin ndaj Shqipërisë. Sot kam zhvilluar takime të shumta me parlamentarë dhe funksionarë të qeverisë gjermane, në të cilat kam argumentuar pro hapjes së negociatave si një hap i rëndësishëm në vetvete për të forcuar demokracinë, shtetin ligjor dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Shpresoj që këto takime të kenë kontribuar sadopak që qeveria gjermane dhe Bundestagu të mbështesë dhe votojë pro hapjes së negociatave, duke i hapur rrugën votës pro të Gjermanisë në qershor. Sikurse shpresoj që edhe Franca dhe Holanda do të përqafojnë aspiratën e madhe të shqiptarëve për të qënë pjesë e BE-së.”/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.