Universitetet, rol të rëndësishëm në fuqizimin e ekonomisë

149

TIRANË, 16 prill /ATSH/ – Roli i universiteteve është jetësor në përgatitjen e burimeve njerëzore për fuqizimin e sektorëve më potencialë ekonomikë dhe rritjen e eksporteve të vendit.

Kështu deklaroi të hënën, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, gjatë një vizite në Fakultetin e Gjeologji Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës. Në kuadrin e Javës Botërore të Inovacionit dhe Krijimtarisë, ai zhvilloi një bashkëbisedim me pedagogë e studentë të këtij Fakulteti, me fokus promovimin e burimeve natyrore të vendit, nxitjen e turizmit, zhvillimin të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit.

Meta shprehu vlerësim për arritjet dhe kontributet e këtij Fakulteti për përgatitjen e mijëra specialistëve, të cilët kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në ndërtimin e shumë veprave strategjike me rëndësi jetike për zhvillimin ekonomik të vendit.

Gjatë bashkëbisedimit me pedagogë e studentë, Presidenti Meta shprehu keqardhje që tranzicioni i dha goditje të forta lëvrimit të disiplinave shkencore të këtij Fakulteti dhe shkencave ekzakte në tërësi.

Kreu i Shtetit theksoi se, ky Fakultet meriton një vëmendje dhe mbështetje më të madhe në përmirësimin e infrastrukturës akademike, në përditësimin e kurrikulave dhe nxitjen e kërkimit shkencor në funksion të tendecave teknologjike e inovacionit, nevojave të ekonomisë, si dhe kërkesave të tregut të punës.

“Në këtë kontekst duhet të nxisim më tepër brezin e ri, sidomos nxënësit ekselentë, të ndjekin studimet në këto shkenca ekzakte, që u japin atyre mundësinë, jo thjesht të kontribuojnë në zhvillimin e vendit, por edhe për të patur një profesion të sigurtë dhe një punë të mirëpaguar”, tha kreu i shtetit.

Gjithashtu, Presidenti Meta vlerësoi si shumë të rëndësishme “menaxhimin racional dhe eficent të pasurive natyrore dhe nëntokësore, sepse ato janë të shterueshme dhe me impakt të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe mirëqenien e qytetarëve.

Nuk duhet të harrojmë që zëri i mineraleve dhe lëndëve djegëse, përbën rreth 20% të eksporteve shqiptare në varësi të dinamikës së çmimeve të tregut ndërkombëtar”, tha Presidenti Meta.

Gjatë bashkëbisedimit, Presidenti nënvizoi rëndësinë madhore që projekti i gazsjellësit TAP ka jo vetëm për gazifikimin e vendit, por edhe për fuqizimin e rolit gjeostrategjik të Shqipërisë në rajon. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.