Shqipëria, i vetmi vend në botë që ka zbatuar moratoriumin e gjuetisë

247

TIRANË, 16 Prill / ATSH / – Raporti mbi Vlerësimin e Efektivitetit të Moratoriumit të Gjuetisë në Shqipëri, i përgatitur nga studiuesi gjerman Daniel Ruppert, sjell të dhëna të rëndësishme sa i përket implementimit të moratoriumit të gjuetisë në vendin tonë.

Ky studim kërkimor është realizuar gjatë periudhës shtator-dhjetor 2017, si pjesë e programit të masterit shkencor “Global Change Management” të Universitetit për Zhvillimin e Qendrueshëm-Eberswalde, Gjermani, me ndihmën e Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).

Eksperti gjerman thekson se Shqipëria është vendi i parë dhe i vetëm në botë që ka zbatuar një ndalim të plotë të gjuetisë për një periudhë të gjatë kohore. Për këtë arsye, ajo ofron bazën për një rast studimi unik.

Gjithashtu, ky studim u realizua në përmbushje të objektivave të strategjisë së politikave, pjesë e Programit për Mbrojtjen e Rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri (BLRP).

Qëllimi kryesor i këtij studimi qëndron në hulumtimin e rezultateve që moratoriumi i gjuetisë ka sjellë, veçanërisht efektivitetin, zbatueshmërinë dhe ndikimin e tij në përmirësimin e gjendjes së faunës në Shqipëri.

Paralelisht, ky raport ka synuar të monitorojë reformën aktuale ligjore, për të përcaktuar nëse plotëson ose jo aspektet relevante për të siguruar një sistem funksional afatgjatë të gjuetisë. Për përmbushjen e qëllimit të studimit, Ruppert punoi intensivisht për grumbullimin e të dhënave sistematike mbi rastet e gjuetisë së paligjshme të identifikuara në terren gjatë ekspeditave me grupin kërkimor të PPNEA-s.

Gjithashtu, të dhëna u grumbulluan edhe përmes raporteve të tjera dhe intervistave të realizuara me banorët lokalë dhe aktorë të ndryshëm. Rezultatet e nxjerra nga analiza e të dhënave tregojnë se moratoriumi i gjuetisë ka ndikim pozitiv kryesisht dhe vetëm në Zonat e Mbrojtura, më saktë, në ato zona të mbrojtura në të cilat ka patur zbatueshmëri të ligjit dhe kontrolle të rregullta.

Në këtë rast, raporti i referohet Zonave të Mbrojtura, stafi i të cilave është trajnuar dhe ka marrë mbështetje financiare nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ku strukturat drejtuese ishin me integritet dhe të mirëkualifikuara.

Në këto zona (si Parku Kombëtar Divjakë – Karavasta dhe Parku Kombëtar i Prespës) u raportuan ndikime pozitive në popullatën e kafshëve të egra dhe u forcua statusi i ruajtjes së natyrës.

Organizata ndërkombëtare EuroNatur ka rekomanduar ngritjen e një platforme për gjueti të qëndrueshme, në të cilën të bëjnë pjesë të gjitha palët e interesuara për mbrojtjen e jetës së egër.

Organizatat kombëtare PPNEA, ASBM dhe AOS e kanë mirëpritur këtë propozim dhe po punojnë për t’a vënë në jetë atë. Krijimi i një platforme për të institucionalizuar dhe profesionalizuar menaxhimin e jetës së egër në Shqipëri do të ishte një hap i rëndësishëm. Ajo do t’i përgjigjej nevojës për rritjen e kapaciteteve dhe edukimit në këtë sektor, si dhe do të përmirësonte koordinimin e veprimeve dhe aktorëve në terma afatgjatë. /n.lena//a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.