BRUKSEL – KE mbështet hapjen e negociatave me Shqipërinë

365

BRUKSEL, 16 prill /ATSH/ – Komisioni Europian do të rekomandojë që Bashkimi Europian të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, sipas një draftdokumenti të parë nga RadioFreeEurope dhe RadioLiberty (RFE/RL).

Ky dokument është pjesë e paketës së përvitshme të Bashkimit Europian për zgjerimin që do të publikohet më 17 prill në Strasburg dhe që përcakton se sa larg janë vendet joanëtare të BE-së të Ballkanit Perëndimor dhe Turqia në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Komisioni Europian ka rekomanduar negociatat me Maqedoninë çdo vit që nga viti 2009, por vendet anëtare të Bashkimit Europian në këtë këshill, ku bie në sy sidomos Greqia, i kanë bllokuar bisedimet për shkak të çështjes së emrit, çka ka tensionuar marrëdhëniet mes Athinës dhe Shkupit, që nga koha kur Maqedonia u shpall e pavarur në vitin 1991.

Athina ka kundërshtuar fqinjin e saj verior në përdorimin e emrit Maqedoni, me pretendimin se kjo nënkupton pretendime territoriale në provincën e saj veriore me të njëjtin emër.

Negociatat mes dy vendeve kanë përparuar këtë vit duke rritur shpresat për gjetjen e një kompromisi që do të zhbllokojë rrugën e Shkupit drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.

Shkupi i ka mbijetuar edhe përplasjeve të brendshme politike që kulmuan në prill 2017, kur qindra protestues sulmuan parlamentin dhe rrahën disa deputetë, përfshirë kryeministrin aktual, Zoran Zaev.

Me uljen e tensioneve që prej asaj kohe, draftdokumenti i komisionit vë në dukje se Maqedonia përgjithësisht e ka tejkaluar krizën e saj të thellë politike dhe thekson se “vullneti politik për të ecur përpara është përsëri qartazi i pranishëm”, duke shtuar se ”një ndryshim pozitiv në qëndrimet politike është parë në të gjithë shoqërinë, mungesa e të cilave ka qenë një pengesë e madhe për reformat gjatë viteve të fundit”.

Në të njëjtën kohë, dokumenti shton se reformat e nevojshme strukturore janë një proces i gjatë që do të duhen vite dhe dëmi i shkaktuar vitet e fundit nuk mund të zhbëhet brenda natës.

Gjithashtu, draftdokumenti konfirmon se komisioni, për herë të parë, rekomandon hapjen e negociatave të pranimit të Shqipërisë në BE, që u bë një vend kandidat zyrtar i BE-së në 2014.

Dokumenti thekson se reforma e administratës publike [ka qenë] e konsoliduar, me qëllimin për të rritur profesionalizmin dhe depolitizimin e saj.

Ai shton gjithashtu se ”veprime të mëtejshme janë marrë për të përforcuar pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjësinë e institucioneve juridike, veçanërisht duke përparuar në zbatimin e një reforme gjithëpërfshirëse në drejtësi”.

Megjithatë, Komisioni Europian ka paralajmëruar se ”rezultate të vazhduara, konkrete dhe të prekshme për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të jenë vendimtare për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë”.

Mali i Zi, që konsiderohet si kryesuesi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, filloi negociatat në vitin 2012 dhe ka hapur 30 nga 33 kapitujt, apo politikat, ku vendet aspirante duhet të harmonizojnë legjislacionin e tyre me atë të BE-së”.

Madje Podgorica ka përfunduar bisedimet për tre nga 30 kapitujt e hapur.

Megjithatë, ky draftdokument nuk është krejtësisht rozë duke theksuar se ”kërkohet më shumë punë për të konsoliduar besimin në ligjin zgjedhor”, si dhe në lidhje me marrëdhëniet mes qeverisë dhe opozitës shprehet se ”rikthimi i debatit politik në Parlament është përgjegjësi e të gjitha partive”.

Ka gjithashtu kritika për gjyqësorin, ku draftdokumenti thekson se ”i gjithë sistemi i shtetit të së drejtës tani ka nevojë të japë më shumë rezultate” dhe se ”nuk është bërë asnjë progres në lirinë e shprehjes”.

Lidhur me Serbinë, që deri tani ka hapur 12 kapituj, dokumenti gjithashtu ngre shqetësime në disa fusha të politikës me komisionin, duke thënë se ”ndërsa ështe bërë progress mbi shtetin e së drejtës, tani Serbia duhet të shtojë përpjekjet e saj dhe të japë më shumë rezultate, në mënyrë të veçantë për të krijuar një mjedis që të mundësojë lirinë e shprehjes, forcimin e pavarësisë dhe efikasitetin e përgjithshëm të sistemit të drejtësisë si dhe për një progres të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Dokumenti, sidoqoftë, e bën të qartë se përveç reformave të shtetit të së drejtës, e vetmja çështje që do të vendosë shpejtësinë e Beogradit në rrugën për integrimin në BE ështe procesi i normalizimit me Kosovën që ka ndodhur nën kujdesin e BE-së që nga viti 2011.

E njëjta gjë është e vërtetë për Kosovën, por rruga e Prishtinës për në BE ështe e komplikuar nga pesë vende të BE-së: Qiproja, Greqia, Rumania, Slovakia dhe Spanja, vende të cilat akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovës të shpallur në 2008-ën.

Dokumenti thotë së qeveria e re e Kosovës dhe Parlamenti ”duhet të kryejnë me prioritet reforma të lidhura me BE-në dhe të arrijnë konsensusin mbi çështje strategjike kyçe”.

Ashtu si Kosova, Bosnje-Hercegovina është vetëm një vend kandidat potencial për të hyrë gjatë kësaj faze në BE.

Por, Sarajeva ka paraqitur një aplikim zyrtar për anëtarësim në BE në 2016.

Komisioni Europian vuri në dukje se vendi ”ka kryer me ritëm të ngadaltë gjatë 2017 reformat e lidhura me BE-në” dhe shton se ”zhvillimet ekonomike mbeten të ngadalta nën një shtet të dobët të së drejtës, një mjedis të varfër biznesi, një administratë publike të copëtuar dhe joefikase dhe mungesë ekuilibri në tregun e punës”./ /p.s./ /a.i/ /g.s/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.