AUSTRALI – Flakët përfshijnë mijëra hektarë pyje

SIDNEJ, 16 prill /ATSH-AFP/ – Qindra forca zjarrfikëse u mobilizuan sot për shuarjen e vatrave masive të zjarrit që po shkaktojnë dëme të konsiderueshme në afërsi të periferisë së Sidnejit, ndërsa temperaturat janë në mënyrë të pazakontë të larta.

Policia e shtetit të Uellsit të Ri ka nisur një hetim për shkaqet e katastrofës që u regjistrua të shtunën pasdite në jugperëndim të Sidnejit, pasi hetuesit hedhin dyshime për zjarrvënie të qëllimshme.

Vatrat e zjarrit kanë djegur më shumë se 2 430 hektarë pyje dhe shkurre.

”Disa banorë janë evakuar nga zona, por asnjë shtëpi nuk është shkatërruar dhe nuk raportohen të plagosur”, sipas shërbimit për luftën kundër zjarreve.

”Është vërtetë mrekulli që nuk kemi viktima dhe dëme materiale, kjo vetëm në sajë të punës së palodhur dhe përkushtimit të forcave tona të shpëtimit”, u shpreh Mark Speakman, ministri i përkohshëm i Shërbimeve të Emergjencave të Shtetit./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.