AKU bllokon 395 kg produkte bulmeti të pasigurtë për tregtim

300

TIRANE, 16 Prill/ATSH/- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit gjatë inspektimit në tregun agroushqimor përgjatë autostradës Tiranë-Durrës bllokoi 395 kg produkte bulmeti, përkatësisht djathë i bardhë lope dhe gjizë, për tregtim të pasigurt të produkteve ushqimore.

Trupa inspektuese e drejtorisë rajonale, Tiranë inspektoi dy subjekte në këtë treg, ku janë marrë edhe mostra për analizim.

Në subjektin në pronësi të shtetasit Qendrim Elezi, pas analizimit të mostrave të marra, produkti djathë i bardhë, ka rezultuar me ngarkesë mikrobike Escherichia coli mbi normë.

Për tregtim të pasigurt të produkteve ushqimore në treg, trupa inspektuese e AKU-së ka sekuestruar 300 kg djathë të bardhë lope, si dhe ka marrë masën administrative gjobë në vlerën e 300 mijë lekëve.

Gjithashtu në subjektin në pronësi shtetasit Ibrahim Tafa, janë sekuestruar 95 kg djathë i bardhë lope dhe gjizë, i cili pas analizimit të mostrave të marra, ka rezultuar me ngarkesë mikrobike E.Coli (Escherichia coli) mbi normë. Edhe për këtë subjekt është marrë masa administrative me gjobë në vlerën e 300 mijë lekëve.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.