Ulja e pragut të TVSH-së nuk çon në mbyllje të bizneseve

TIRANË, 15 Prill/ATSH/- Ulja e pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë nuk do të çojë në mbylljen e bizneseve.

Në një prononcim për ATSH-në, ish-ministrja e Ekonomisë, deputete e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi shprehet se mbyllje biznesesh deklarohej edhe kur u ul pragu nga 8 në 5 milionë lekë por rezultoi se jo vetëm bizneset nuk janë mbyllur, por ato janë shtuar vit pas viti.

Për të sqaruar më mirë se çfarë po ndodh aktualisht me skemën e TVSH-së, mendoj që të shohim pak historinë e regjistrimit të bizneseve në TVSH në vendin tonë, thotë Ekonomi.

Pragu i regjistrimit në Taksën e Vlerës së Shtuar, sipas saj, ka ndryshuar disa herë gjatë 22 viteve të aplikimit të saj:

1. korrik 1996- dhjetor 1997 pragu i TVSH-së 2 milionë lekë
2. janar 1998- dhjetor 2001 pragu i TVSH-së 5 milionë lekë
3. janar 2002- dhjetor 2009 pragu i TVSH-së 8 milionë lekë
4. janar 2010 –prill 2018 pragu i TVSH-së 5 milionë lekë
5. shkurt 2011 e vijim profesionet e lira pragu zero
6. prill 2018 vijim pragu i TVSH-së 2 milionë lekë

Në vitin 2010, qeveria e Partisë Demokratike uli pragun e regjistrimit në TVSH nga 8 milionë në 5 milionë lekë, ndërsa për të gjitha profesionet e lira, pragu nga 8 milionë u bë zero, duke i futur kështu brenda skemës së TVSH-së.

“Ulja e pragut nga 8 në 5 milionë në janar 2010 nuk rezultoi në ulje të numrit të tatimpaguesve si në biznesin e madh, ashtu edhe në atë të vogël. Përkundrazi numri i tatimpaguesve në TVSH pas këtij ndryshimi në dy vitet pasardhëse u rrit me +6.000 tatimpagues të rinj, ndërsa numri i tatimpaguesve të biznesit të vogël u rrit me 4.700 tatimpagues të rinj”, theksoi Ekonomi.

Megjithëse hyri në skemën e TVSH-së, vijon Ekonomi, ky grup i “biznesit të vogël”, jo vetëm që nuk ka falimentuar nga viti 2010 e në vijim, por është rritur në numër nga viti në vit. Në fund të vitit 2013, shton ajo, ky grup përbëhej nga 13.300 subjekte, ndërsa sot janë 18 mijë subjekte, pra 4.700 më shumë.

Aktualisht nga grupimi prej 88 mijë “biznese të vogla”, sipas Ekonomit, 20% e tyre ose 18 mijë biznese të vogla me xhiro 5-8 milionë lekë janë pjesë e skemës së TVSH-së nga 1 janari i vitit 2010 e në vijim. “Me uljen e pragut nga 5 në 2 milionë lekë “biznesi i vogël me TVSH” do të shtohet edhe me rreth 10 mijë biznese të tjera dhe do të përbëjë rreth 31% të totalit të “biznesit të vogël gjithsej”.

Pra nga grupimi “biznes i vogël”, 70% do të jenë jashtë skemës së TVSH-së dhe 30% në skemën e TVSH”, tha deputetja Ekonomi.

Nisur nga qarkullimi që realizojnë, ndarja e tatimpaguesve është si më poshtë: 20 mijë subjekte në TVSH janë biznes i madh me xhiro mbi 8 milionë lekë, 18 mijë subjekte në TVSH janë biznes i vogël me xhiro 5-8 milionë lekë, 10 mijë subjekte në TVSH do të jenë biznes i vogël me xhiro 2-5 milionë lekë, 60 mijë subjekte mbeten jashtë skemës së TVSH-së, pra biznese të vegjël.

“Edhe pas uljes së pragut nga 5 në 2 milionë lekë, përsëri 56% e operatorëve ekonomik do të vazhdojnë të funksionojnë jashtë skemës së TVSH-së. Brenda skemës së TVSH-së do të jenë vetëm 44% e subjekteve që zhvillojnë veprimtari ekonomike”, shpjegon Ekonomi.

Nga “bizneset e vogla me TVSH”, sipas saj, arkëtohen rreth 1 miliard lekë TVSH. “Kjo shumë përfaqëson 2.8% të totalit të TVSH-së që ka mbledhur administrata tatimore, ose 0.08% të totali të TVSH së mbledhur nga tatimet dhe doganat në 2016. “99.2% e  totalit të TVSH që vjen në buxhetin e shtetit mblidhet nga “biznesi i madh”, tha ajo./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.