Pesë muzetë e veçantë, që nuk duhen humbur në Tiranë

TIRANË, 15 prill/ATSH/- Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, është një qytet jashtëzakonisht i gjallë nga këndvështrimi artistik dhe kulturor. Ka shumë muze dhe galeri arti që ia vlen t’i përfshini në itinerarin tuaj të udhëtimit.

Kështu e nis shkrimin e saj gazetarja dhe udhëtarja e palodhur italiane, Francesca Masotti, të publikuar në blogun e saj “Francesca on the top World”.

“Më poshtë do t’ju tregoj 5 muzetë në kryeqytetin shqiptar, në një renditje të rastësishme. Nëse keni kohë, unë ju rekomandoj që të vizitoni të gjitha muzeumet e përmendura në këtë artikull: të ndryshme dhe interesante, me objekte të lashta ose gjetje bashkëkohore, sallat e këtyre vendeve të dedikuara për artin tregojnë aspekte të ndryshme të historisë së vendit”, shkruan ajo.

BUNKART

I vendosur në dalje të Tiranës (përgjatë rrugës që nga qendra të çon në malin madhështor të Dajtit), BunkArt është ndoshta muzeu më interesant i Shqipërisë dhe një nga më të veçantët e të gjithë gadishullit ballkanik. Po, sepse ky muze i artit bashkëkohor është vendosur brenda një bunkeri antibërthamor, ku në rast të sulmit bërthamor, do të fshihej diktatori Enver Hoxha. Kush prej jush e njeh pak historinë e Shqipërisë e dinë se për kë po flas.

Megjithatë, ata që kurrë nuk kanë pasur mundësinë të interesohen për historinë e vendit, duhet të dini se Hoxha kishte ndërtuar mijëra bunkerë në të gjithë vendin (vlerësimet variojnë nga 170,000 deri në 700,000 bunkerë, ende nuk dihet numri i saktë). BunkArt është ndërtuar me disa kate nën tokë, e karakterizuar nga një numër i pafund të dhomave që tregon historinë e pushtimit italian të Shqipërisë deri në vitet e fundit të komunizmit. Mahnitës dhe i bukur.

BUNKART2

Kush nuk ka mundësi të largohet nga Tirana, por dëshiron të zbulojë diçka më shumë për vitet e komunizmit, mund të vizitojë BunkArt2, një tjetër muze i ndërtuar brenda një bunkeri nëntokësor të epokës së Hoxhës, megjithatë, ndryshe nga i pari, në qendër të Tiranës, pranë Bashkisë. Bunkeri është projektuar për të akomoduar anëtarë të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë në rast të një sulmi bërthamor. Në dhomat e tij tregohen historitë që lidhen me ato vite dhe vëmendje e veçantë i kushtohet gjithashtu viktimave të regjimit.

MUZEU HISTORIK KOMBËTAR

Muzeu Historik Kombëtar është muzeu më i rëndësishëm dhe i madh në vendin ku tregohet historia e Shqipërisë nga paleoliti deri në komunizëm. Vlen të përmendet koleksioni i veprave të Onufrit, piktorit më të rëndësishëm shqiptar të shekullit të 16-të. Një kuriozitet: në muze ruhet edhe arma me të cilën është qëlluar Benito Mussolini. Një gjë që me të vërtetë më bëri përshtypje në këtë muze është vepra e Richard Caton Woodville, një artist amerikan i shekullit të 19-të, i cili ofron pamje interesante të Shqipërisë të shekullit të 19-të.

Muzeu Historik Kombëtar ndodhet në sheshin qendror Skënderbej, kushtuar heroit të madh kombëtar shqiptar, i cili në ‘400 e mbrojti vendin dhe perëndimin nga përparimi i Perandorisë Osmane dhe është lehtësisht i dallueshëm në sajë të mozaikut spektakolar të vendosur në fasadën e tij që përfaqëson fazat e ndryshme historike të vendit.

GALERIA KOMBËTARE E ARTEVE

Jo larg nga Muzeu Kombëtar është Galeria Kombëtare e Artit. Në sallat e saj mund të admirojmë veprat e artistëve më të njohur të pikturës, që i përkasin shkollës së parë të pikturës, të lindur në fillim të shekullit të njëzetë, si Kolë Idromeno, Spiro Xega, Andrea Kushi dhe Simon Rrota, si dhe një sërë veprash të artistëve të periudhës komuniste, të cilët përfaqësojnë jetën e përditshme gjatë viteve të diktaturës, me slogane dhe veshje tipike të epokës.

Një perlë e vogël: në pjesën e pasme të Galerisë Kombëtare janë të vendosura statujat gjigante të Leninit dhe Stalinit, që vite më parë ndodheshin në sheshet kryesore të qytetit. Ne nuk dimë asgjë për fatin e tyre, për momentin ato janë të fshehura, por nuk ikin nga syri më i vëmendshëm dhe kurioz. Përpara galerisë është vepra “Reja” nga japonezja Sou Fujimoto, e përdorur si një hapësirë publike për ngjarje dhe forume.

SHTËPIA E GJETHEVE

Ardhja e fundit në qytet është “Shtëpia e Gjetheve”, një muze i bukur dhe interesant i vendosur në atë që gjatë viteve të diktaturës, ishte selia e Sigurimit, policisë sekrete shqiptare. Ndërtesa me sa duket anonime ishte boshti i aktiviteteve të Sigurimit, vendi ku u takuan spiunët e regjimit, ku u dëgjuan biseda sekrete dhe ku u morën vendime të rëndësishme.

Fillimisht shtëpia, e ndërtuar në vitin 1931, kishte funksionin fillestar klinikë mjekësore. Gjatë pushtimit gjerman në Luftën e Dytë Botërore, Gestapo e mori në zotërim. Kur përfundoi lufta, qeveria shqiptare e riktheu atë, duke e shndërruar në zyrën kryesore hetimore të vendit. Edhe pse kostoja e biletës është më e lartë se të tjerat, ky muze ishte magjepsës dhe ua rekomandoj t’a vizitoni./k.s//m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.