Mitrovica përkujton të pagjeturit dhe martirët e luftës

212

PRISHTINE, 15 Prill/ATSH/- Në ‘Shtëpinë Muze’ që ndodhet në ‘Lagjen e boshnjakëve’ në veri të Mitrovicës është shënuar sot Dita e të pagjeturve dhe martirëve, ku janë përkujtuar 116 të pagjeturit shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës, si dhe 620 martirë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

Familjarë të të pagjeturve e të martirëve, dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës, përfaqësues të institucioneve, si dhe një numër i qytetarëve, kanë vendosur lule pranë pllakës me emrat e martirëve.

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit të Kosovës për çështjen e personave të zhdukur, tha se Mitrovica sot ka shumë dhimbje e lot, por edhe pas 19 viteve është krenare e stoike.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk do të heq dorë nga veriu dhe është duke bërë gjithçka për ta bashkuar këtë qytet, ndërsa do të punojë deri në zbardhjen e fatit të njeriut të fundit në vend.

“Nuk kemi hequr dorë asnjëherë dhe nuk do të heqim dorë nga pjesa jonë e Mitrovicës dhe unë shpresoj se qeveria me kryeministrin Haradinaj është duke bërë çdo gjë për ta bashkuar Mitrovicën dhe për të qenë bashkë me ju. Qeveria e Kosovës ka prioritet çështjen e martirëve dhe të zhdukurve dhe nuk do të heqim dorë për asnjë moment deri në zbardhjen e fatit të njeriut të fundit të Kosovës”, tha ai.

Ai premtoi se projekti i Muzeut do të futet ndër prioritetet e qeverisë dhe do të finalizohet vitin e ardhshëm, kur edhe do të shënohet 20 vjetori i të pagjeturve dhe martirëve të kësaj ane.

Përfaqësuesi i familjeve të personave të pagjetur, Bajram Çerkini kërkoi zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ai kërkoi nga organet përgjegjëse t’i përmbushin premtimet, në mënyrë që ‘Shtëpia muze’ të rregullohet dhe të marrë pamjen që e meriton vitin e ardhshëm.

Në anën tjetër, Murat Isufi, shef i Zyrës së Mirëqenies Sociale në komunën e Mitrovicës, tha se martirët do të jetojnë gjithmonë dhe se vepra e tyre është e pavdekshme.

Pas kësaj ceremonie janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora me lule edhe në varrezat e martirëve në Shipol./kosovapress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.