FOTO/ Një fundjavë plot ngjyra në Kanionet e Osumit

844

TIRANË, 15 Prill / ATSH / – Fundjava i ka gjetur ndryshe Kanionet e Osumit. Krahas turistëve sportivë me kanoet e varkat e tyre lundruese që rrëshqasin në ujërat e rrëmbyer në lartësitë e Skraparit, peizazhin sportivë e ka thyer një grup piktorësh të rinj që vinin nga Fieri dhe Tirana.

Të pajisur me kamaleca, telajo, kanavac, penela e bojëra, ata kërkonin këndin më të përshtatshëm në rrjedhën e lumit që të hidhnin në ngjyra, impresionin që u jepte ky peizazh i rrallë i natyrës shqiptare.

Shumica e shikonin për herë të parë Kanionet e Osumit dhe nxitonin në fiksimin  e faqeve shkëmbore apo të gjelbërimit përreth në telajon e tyre.

Moti tashmë është ngrohur dhe Kanionet e Osumit duke nisur nga Bogova deri në lartësitë e Skraparit, presin çdo ditë të apasionuarit e sporteve të ujit.

Kjo favorizohet edhe nga një rrugë relativisht e mirë që nuk të krijon problem gjatë udhëtimit.

Udhërrëfyesit zonal dhe ata të AdZM Berat, janë të gatshëm që të ofrojnë ndihmën e tyre.

Kanionet e Osumit, përditë e më shpesh po vizitohen nga turistë vendas e të huaj./n.lena/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.