SIRI – Përfundon vala e parë e sulmeve të aleatëve ndaj objektivave kimike

230

DAMASK, 14 prill /ATSH-AA/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Britania e Madhe filluan sulmet e përbashkëta ndaj objektivave të armëve kimike të regjimit të Bashar al-Asadit në Siri.

Në një konferencë shtypi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së theksoi se objektivat e goditura në Siri janë qendrat kërkimore për armët kimike në Damask dhe depot e armëve kimike në Homs.

Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis theksoi se negociatat me aleatët vazhdojnë, nuk ka plan për sulme shtesë në Siri tani për tani dhe se sulmet janë të drejtuara ndaj regjimit sirian.

”Vëmendje e madhe i kushtohet evitimit të viktimave civile dhe të huaja”, theksoi ai.

Më herët presidenti i SHBA-ve, Donald Trump në një transmetim në nivel kombëtar njoftoi se SHBA, Britania e Madhe dhe Franca të premten në mbrëmje filluan sulme duke shënjestruar aftësitë e armëve kimike të regjimit të Asadit.

“Sot, kombet e Britanisë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë drejtuar fuqinë e tyre të drejta kundër barbarizmit dhe brutalitetit”, tha Trump.

Duke iu drejtuar aleatëve kryesorë të Bashar al-Assadit, Iranit dhe Rusisë, Trump pyeti: “Cili komb dëshiron të shoqërohet me një vrasës masiv të burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm?”.

“Kombet e botës mund të gjykohen nga miqtë që ata mbajnë”, tha Trump./  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.