SHBA – Mattis: Varet nga Asadi nëse sulmet në Siri do të vazhdojnë

UASHINGTON, 14 prill /ATSH-AA/ – Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, tha se ky ishte një “sulm i vetëm” ndaj regjimit të Asadit, dhe se varet nga Asadi nëse sulmet do të vazhdonin ose jo.

Në kuadër të sulmit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Britanisë së Madhe dhe Francës ndaj regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad është goditur qendra për kërkimin e armëve kimike në afërsi të Damaskut, depoja e armëve kimike dhe qendra e komandës në lidhje me armët kimike, të cilat ndodhen në perëndim të qytetit Homs.

Shefi i Pentagonit, Jim Mattis dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i ushtrisë amerikane, Joseph Dunford, në një konferencë për shtyp deklaruan se sulmi është përgjigje ndaj sulmit me armë kimike, i cili ndodhi më 7 prill në Duma të Sirisë.

Mattis tha se Asadi po shkel ligjin ndërkombëtar, duke vrarë gra, fëmijë dhe njerëz të pafajshëm me armë kimike.

“Me aleatët arritëm në përfundimin se kjo është e papranueshme. Dëshitoj të theksoj se ky është një sulm ndaj regjimit të Asadit”, ka thënë Mattis, ndërsa i pyetur nëse sulmet do të vazhdojnë, ai tha se “kjo varet nga Asadi, varet nga ajo nëse në të ardhmen përsëri do të përdorë armë kimike, ky ishte vetëm një sulm”./  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.