Rruga e Kombit, Gjiknuri: Tarifë të reduktuar për banorët e zonave

TIRANË, 14 prill/ATSH/- Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri teksa inspektoi punimet për ndërtimin e urave në këtë aks, nga qyteti i Kukësit deklaroi sot se qeveria është në negociata intensive me kompaninë koncesionare për gjetjen e një zgjidhje për një tarifë të reduktuar për banorët e këtyre zonave.

“Jemi duke negociuar me koncesionarin por njëkohësisht duke u konsultuar edhe me popullatën për të gjetur një zgjidhje për një tarifë të reduktuar për banorët e këtyre zonave, sidomos për transportin publik dhe qytetarët që e përdorim më shpesh rrugën Kukës-Tiranë”, tha Gjiknuri.

Ai bëri të ditur se ka filluar evidentimi i të gjitha mjeteve që janë të targuara në Kukës.

“Jemi duke bërë krahasimet me banorët që janë pjesë e këtij komuniteti dhe që i zotërojnë këto mjete, në mënyrë që të trajtohet ajo fashë e njerëzve që preken nga ky koncesion dhe që jetojnë në qarkun e Kukësit. Është një proces i filluar mirë dhe besoj brenda një periudhe shumë të shkurtër, përpara se të fillojë dhe njëherë funksionimi i pagesave të tarifave, ne do të kemi një zgjidhje”, shpjegoi ai.

Besoj, vijoi ministri, do jetë shumë e pranueshme, por njëkohësisht nuk cenon edhe efektivitetin e kontratës, nuk cënon mbarëvajtjen e kontratës për mirëmenaxhimin e kësaj rruge. /e.malaj//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.