Projekti “Shkollat si Qendër Komunitare”, tërheq vëmendjen e mediave botërore

“Shkollat si Qendër Komunitare”, revista me shitje në gjithë botën i bën jehonë nismës së Bashkisë së Tiranës

TIRANË, 14 prill/ATSH/- Projekti i Bashkisë së Tiranës për kthimin e shkollave të kryeqytetit në qendra komunitare ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave botërore. Në artikullin e saj, “Monocle” ka pasqyruar një intervistë të kryebashkiakut Veliaj i cili ka shpjeguar edhe synimin e Bashkisë së Tiranës për “Shkollat si Qendër Komunitare” , një mënyrë se si banorët e lagjeve do të mund të shfrytëzojnë asetet që kanë shkollat pas mbarimit të mësimit për kurse, trajnime e aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore.

Revista e cila shpërndahet në të gjithë botën,  thekson se pas rënies së komunizmit, një numër i madh i ambienteve publike të cilat më parë përdoreshin në shërbim të komunitetit u privatizuan nga privati. Kjo gjendje sipas “Monocle”, vijoi deri në vitin 2015, kur me ardhjen e kryebashkiakut të ri Erion Veliaj, filloi një proces inventarizimi i pronave publike në varësi të Bashkisë së Tiranës dhe se tashmë, në një qytet të mbipopulluar sikurse është Tirana, hapësirat publike përdoren me mençuri. Revista “Monocle” evidenton se realizimi i këtyre ndryshimeve në Tiranë i është besuar arkitektëve londinezë të “Grimshaw Architects” dhe Stefano Boerit nga Milano.

 Artikulli i plotë:

Rregullat e reja të shkollës

TIRANA – Hapësirë qytetare

Disa nxënës shpenzojnë orë duke pritur që të bjerë zilja, por në Tiranë, shumë shkolla nuk do të mbyllin dyert e tyre vetëm për shkak se klasat kanë përfunduar. Si pjesë e një masterplani urbanistik të dizenjuar për të rimenduar qytetin deri në vitin 2030, 17 shkolla në kryeqytetin shqiptar do të zgjerojnë funksionin e tyre dhe do të bëhen qendra komunitare që funksionojnë 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë.

“Në shumicën e qyteteve evropiane, lagjet u formuan rreth një katedraleje ose një institucioni të madh shoqëror, ose në kohët para-osmane, shumë fshatra në Shqipëri u ndërtuan rreth një lisi që shërbeu si pikë takimi për pleqësinë”, thotë Kryetari i Bashkisë së qytetit Erion Veliaj. “Por në vitin 1967 kur komunistët përqafuan laicizmin/ateizmin], mijëra kisha u shkatërruan, kështu që qendra sociale e gravitetit urban u zhduk”.

Pas rënies së komunizmit, Tirana filloi të rritet me shpejtësi, por kjo shpërndarje vitale e jetës së komunitetit nuk u rijetëzua. Për më tepër, vitet 1990 ra në sy një shitje masive e godinave publike, duke përfshirë bibliotekat dhe qendrat e të rinjve, në duart e privatëve. Deri në kohën që Veliaj mori detyrën në vitin 2015 dhe pa se cilat struktura mbetën që mund të bëheshin hapësira për komunitetin që të mblidheshin së bashku, atij i kishte mbetur me pak mundësi zgjedhjeje. “Kemi kaluar një proces inventarizimi të hapësirës që kemi pasur dhe kemi kuptuar se ne nuk e kemi më atë”, thotë ai. “Në një qytet që është i mbipopulluar duhet të përdorim hapësirën me mençuri”.

Dhe kështu, të gjitha shkollat ​​e përzgjedhura do të rindërtohen për të përfshirë kafeteritë, si edhe dhoma për takime dhe ngjarje kulturore që do të zhvillohen pas mësimit dhe gjatë fundjavave. Realizimi i këtyre ndryshimeve do të bëhet nga Arkitektët e Londrës “Grimshaw Architects” dhe Stefano Boeri i Milanos. “Shkollat ​​publike janë infrastruktura më e përhapur dhe më e fuqishme publike që kemi në vendet tona”, thotë Boeri. “Ne duhet të fillojmë të vëzhgojmë rolin e tyre në një mënyrë të ndryshme – ato duhet të jenë një ambient i hapur për komunitetin”./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.