FOTO/ Kukës-Morinë, dublimi i urave përfundon brenda vitit

942

TIRANË, 14 prill/ATSH/- Brenda këtij viti, aksi që lidh Kukësin me Morinën, pjesë e Rrugës së Kombit do të jetë i përfunduar me urat e dubluara dhe elementët e sigurisë rrugore.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri i shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro inspektuan në Kukës kantierin e hapur në një prej urave të cilat po dublohen.

Qendro sqaroi se tanimë janë programuar fondet dhe do të garantohet përmbyllja e dy kontratave të zvarritura prej vitesh që kanë të bëjnë me përfundimin e 7 urave. Sipas tij, mos kryerja e investimit në kohë dhe defektet që e kanë shoqëruar në fazën e zbatimit, kanë shkaktuar tashmë mosrakordim të trupit të rrugës me urat dhe veprat e artit janë në disnivel. Për këtë shkak, ARRSH ka filluar procedurat për rakordim masash mbrojtëse dhe siguri rrugore në viaduktet e aksit Kukës- Morinë.

Ndërhyrja zgjidh problemin e ndërtimit të rrugëve lidhëse të fshatit Pobreg me qëllim hyrje-daljen e mjeteve të kësaj zone në aksin Kukës-Morinë. Gjithashtu, për rritjen e sigurisë rrugore dhe qarkullimin e këmbësorëve në fshatrat e komunitetit anës segmentit Kukës-Morinë, parashikohet vendosja e tre mbikalimeve.

Ministri Gjiknuri tha se ky segment i autostradës u la i papërfunduar për shumë vite duke u kthyer në një burim aksidentesh.

“Brenda këtij viti, këtë pjesë të autostradës, pra nga Kukësi deri në kufi do ta kemi plotësisht të përfunduar. Kjo është edhe për të dhënë një mesazh që qeveria shqiptare i ka kushtuar vëmendje shumë këtij aksi kaq të rëndësishëm rrugor. Një aks që ka marrë shumë para të shqiptarëve por fatkeqësisht nuk ka përfunduar. Ne duam që ta përfundojmë ashtu sikurse duam edhe ta mirëmbajmë këtë aset. Gjithë kjo iniciativë që u ndërmor edhe në lidhje me koncensionimin e kësaj rruge ka patur për qëllim mbarëvajtjen e kësaj infrastrukture, sinjalistikën e nevojshme, përforcimet e nevojshme që kjo autostradë, pra ky aset, të menaxhohet siç duhet, ndryshe pak nga pak me vitet do të humbiste”, u shpreh Gjiknuri./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.