Balla në Elbasan, takim me biznesin për skemën e re të TVSH-së

TIRANË, 14 prill/ATSH/- Kryetari i Grupit Parlamentar,Taulant Balla së bashku me deputetët e Elbasanit, Kryetarin e Bashkisë dhe specialistë të ekonomisë zhvilluan një takim me biznesin e vogël, me qëllim formimin mbi mungesën e ndikimit që TVSH-ja do të ketë në punën e tyre.

Në fjalën e tij, Balla iu përgjigj edhe kreut të PD-së, duke u shprehur i bindur se ky i fundit nuk ka as idenë më të vogël të funksionimit të TVSH-së.

“Menduam të bëjmë këtë takim jo vetëm për t’ju sqaruar, por për t’ju garantuar se gjithë kjo zhurmë po ngrihet me qëllime politike dhe qëllime që s’kanë të bëjnë me interesin tuaj. Asnjëri prej jush nuk do të paguajë asnjë shtesë.

E gjithë kjo nuk bëhet për të paguar ju tatim shtesë; e gjithë kjo bëhet që disa kompani të mëdha, të cilat kanë përdorur biznese të vogla për të mos faturuar TVSH-në, të krijojnë një mekanizëm për të luftuar informalitetin.

Gjatë këtij procesi që kemi nisur me urdhër të Ministrit të Financave, njësitë e kontrollit, pra Drejtoria e Tatimeve duhet të kontaktojë secilin prej jush për t’ju instruktuar ashtu siç duhet për të plotësuar atë formularin e vetëdeklarimit, i cili është një formular i thjeshtë.

Gjithçka bëhet për të parandaluar bizneset e mëdha të bëjnë evazion fiskal duke keqpërdorur disa prej bizneseve të vogla.

Dhe është për të ardhur keq që ka forca politike që gjoja dalin me flamurin për të mbrojtur biznesin e vogël dhe gjithçka që bëjnë është të mbrojnë biznesin e madh.

Unë dua ta falenderoj biznesin e vogël të Elbasanit që nuk u bë pjesë e kësaj loje për të ulur qepenat, sepse ajo nuk është ulje qepeni për interesin tuaj. Të ishte kështu, do kisha ardhur unë i pari për t’ju mbështetur, por është ulje qepenash për interesin e Lulit dhe të Monikës, dhe më “vrafshin mua” po e kuptoi Lul Basha këtë punën e TVSH-së. Një njeri që thotë 7×7=42, nuk di të bëjë llogarinë e TVSH-së. E kjo nuk është për të qeshur, kjo është për të qarë, se unë nuk jam i kënaqur që në Parlament kam një opozitë kaq të dobët. Në demokraci opozita është garant i funksionimit të demokracisë.”

Deputetja Evis Kushi sqaroi se diskutimet për këtë ndryshim ligjor kanë nisur që në dhjetor, duke u konsultuar me Dhomat e Tregtisë, të cilat në asnjë rast nuk e kundërshtuan atë.

“Ne, si Komision Ekonomie, takimet dhe bashkëbisedimet me grupet e interesit i kemi bërë që përpara se të miratohej ky ligj i paketës fiskale, ashtu sikurse edhe Ministria e Finacave me strukturat e saj. E në fakt, të gjitha Dhomat e Tregtisë nuk kanë dalë kundër këtij vendimi, përkundrazi e kanë mbështetur, sepse ne të gjithë bashkë jemi për formalizimin e ekonomisë”.

Balla i kërkoi biznesit të vogël të Elbasanit që pas 6 muajsh, kur efektet e këtij ndryshimi të jenë ndjerë, të mblidhen sërish dhe të diskutojnë konkretisht duke kërkuar bashkëpunimin e të gjithëve për të denoncuar çdo rast abuzimi apo mosbashkëpunimi nga zyrat e shtetit./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.