Spitali i Durrësit me aparatura të reja

TIRANË, 13 prill /ATSH/- Spitali i Durrësit është pajisur me mamografi të re, grafi e fluoroskopi, grafi të lëvizshme dhe një sërë aparaturash të reja biomjekësore me vlerë 780 mijë euro, që pasurojnë flotën e aparaturave të këtij spitali dhe garantojnë standard të lartë për ekzaminimet për qytetarët.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi sot spitalin rajonal të Durrësit ku deklaroi se jo vetëm ky spital, por të gjithë spitalet rajonale do të kenë këtë vit investime të rëndësishme.

“Nisim nga Durrësi investimet madhore për fuqizimin e spitaleve rajonale në infrastrukturë dhe pajisje biomjekësore, duke garantuar më shumë cilësi shërbimi afër vendbanimit të qytetarëve. Shembullin e QSUT do t’a aplikojmë në të gjithë spitalet e vendit. 4.5 milionë euro janë investimet në aparatura në spitalet rajonale për këtë vit, për të garantuar shërbim me cilësi afër vendbanimit të qytetarëve”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u ndal edhe tek centrali i ri i sterilizimit, një investim 1.2 milionë euro që ka sjellë një standard të ri të sterilizimit dhe instrumenteve kirurgjikalë. Kirurgët u shprehën se me nisjen e këtij programi janë reduktuar infeksionet spitalore, kryesisht ato post-operatore, ndërsa Ministrja deklaroi se ky investim do të shtrihet në të gjithë spitalet e vendit. Ministrja lajmëroi gjithashtu nisjen e investimit për rehabilitimin e Pediatrisë.

Investimi me vlerë 262 milionë lekë që nis këtë vit në Pediatri, do të mundësojë edhe krijimin e ambienteve të reja për spitalin e fëmijëve. Ministrja Manastirliu deklaroi nga Durrësi se ky është viti i investimeve për fuqizimin e spitaleve rajonale për të ofruar shërbim me cilësi afër vendbanimit të qytetarëve. /z.tosku/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.