Skema e deklarimit të TVSH-së, angazhim për informimin e biznesit

Skema e deklarimit të TVSH-së, angazhim për informimin e biznesit

Skema e deklarimit të TVSH-së, angazhim për informimin e biznesithttps://ata.gov.al/2018/04/13/skema-e-deklarimit-te-tvsh-se-angazhim-per-informimin-e-biznesit/Në një intervistë për ATSH-në, Eva Rama, përgjegjëse e sektorit tekniko-juridik në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve sqaron impaktin që do të ketë përfshirja e biznesit të vogël në skemën e deklarimit të TVSH-së.Përfshirja e biznesit të vogël në skemën e deklarimit të TVSH-së, sipas saj, është një proces që nuk shoqërohet me kosto".

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on 13.04.2018

TIRANË, 13 prill /ATSH-Maela Marini/ – Përfshirja e biznesit të vogël në skemën e deklarimit të TVSH-së krijon mundësi të barabarta në treg, lufton informalitetin dhe ul mundësinë e evazionit fiskal te sipërmarrësit e mëdhenj.

Në një intervistë për ATSH-në, Eva Rama, përgjegjëse e sektorit tekniko-juridik në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve sqaron ndikimin që do të ketë përfshirja e biznesit të vogël në skemën e deklarimit të TVSH-së.

Përfshirja e biznesit të vogël në skemën e deklarimit të TVSH-së, sipas saj, është një proces që nuk shoqërohet me kosto”. “Administrata tatimore është e angazhuar maksimalisht për t’a informuar biznesin me të gjitha mjetet e komunikimit dhe me njësitë e shërbimit të tatimpaguesve, këndin e asistencës të biznesit të vogël, që ai të përgatisë dokumentacionin dhe librat e nevojshëm për këtë përgjegjësi të re tatimore”, tha Rama.

Sa i përket të ardhurave në buxhetin e shtetit, Rama theksoi se “këto të ardhura nuk janë ndonjë shumë e konsiderueshme në buxhetin e shtetit, por qëllimi kryesor mbetet lufta ndaj informalitetit dhe shtrirja e zinxhirit të transaksioneve të TVSH-së”.

E pyetur nëse mund të nxisë evazionin fiskal, efekti zinxhir që shoqëron përfshirjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së, Rama tha se “sa më pak thyerje të ketë zinxhiri i transaksioneve në TVSH, aq më pak mundësi ka tregu për të zhvilluar informalitetin”.

“Përfshirja e kësaj fashe tatimpaguesish në skemën e TVSH-së do të krijojë mundësi të barabarta në treg, do të ketë primare luftën ndaj informalitetit dhe do të ketë kontroll mbi transaksionet e bizneseve të mëdha me bizneset e vogla. Ndaj kjo është një rregullator për tregun”, tha ajo.

Në këtë drejtim, Rama sqaroi se skema nuk favorizon sipërmarrësit e mëdhenj. Sipas saj “do të ketë një kontroll dhe një bashkëpunim reciprok të dy llojeve të bizneseve dhe nuk do të ketë më justifikime nga bizneset e mëdha, që nuk kanë ku të shkarkojnë TVSH-në, pasi bizneset e vogla nuk tërheqin faturat”.

“Me përfshirjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së këto të fundit do të jenë vetë të interesuara të tërheqin faturën për shkak se vetëm në këtë mënyrë ato do të kenë mundësi të përfitojnë nga e drejta e kreditimit që u jep përfshirja në skemën e TVSH-së”, tha Rama.

Lidhur me pretendimet se kjo nismë do të shkaktojë efekte negative edhe për konsumatorin, siç është rritja e çmimeve, Rama tha se “vendimi nuk ka lidhje fare me rritjen e çmimeve”.

“Çmimet i përcakton tregu dhe ato do të jenë në të njëjtin nivel. Administrata Tatimore është e vëmendshme ndaj të gjitha fenomeneve të qasjes së këtyre tatimpaguesve”, theksoi ajo për ATSH-në.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.