Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për ndryshimet në Kodin Penal

PRISHTINË, 13 Prill/ATSH/.- Qeveria e Kosovës miratoi sot projektligjin për ndryshimet në Kodin Penal, i cili është i bazuar në tri parime themelore: sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; funksionimi i organeve të pavarura për zbatimin e ligjit dhe mbrojtja dhe përparimi i të drejtave të njeriut.

Sipas zyrës së shtypit të qeverisë, plotësimet dhe ndryshimet e Kodit Penal të Republikës së Kosovës kanë qëllimin e vetëm, që të përparojnë sundimin e ligjit, forcimin e institucioneve të pavarura në luftimin e krimit dhe qasje e drejtë dhe efektive në sistemin e drejtësisë për të gjithë qytetarët pa dallim.

Pr/ligji i ri i Kodit Penal adreson tri tema të gjëra: masat kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; masat për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut; dhe masat kundër terrorizmit dhe parandalimin e tij.

Dënimet për vepra penale që ndërlidhen me korrupsion janë rritur dhe janë propozuar amendamente të reja që i ndalojnë personave të dënuar për korrupsion që të ushtrojnë detyra dhe funksione në administratën publike në kohëzgjatje deri në 10 vjet nga shpallja e dënimit.

Duhet përmendur se në hartimin e këtij pr/ligji janë angazhuar 180 anëtarë të shoqërisë civile, mediat, institucionet ndërkombëtare. Ata kanë punuar në ndryshimin dhe plotësimin e 100 neneve të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e qeverisë kosovare.

Kryeministri Ramush Haradinaj e ka vlerësuar si ditë të suksesshme miratimin e këtij pr/ligji të Kodit Penal, që ka në fokus forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën e të gjitha formave të krimit në Kosovë.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratua edhe vendimi për plotësimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” me një anëtar nga lista e kandidatëve të përzgjedhur për anëtar të këtij bordi.

Kabineti Qeveritar miratoi edhe vendimin për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme, të cilat do të preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Kompleksit Rezidencial Qeveritar” në zonat kadastrale të Prishtinës dhe Graçanicës.

Ministri i Financave Bedri Hamza njoftoi kabinetin qeveritar me situatën financiare dhe të projekteve të zhvillimit të qeverisë. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.