Fondi për komunitetin, zgjidhet problematika për banorët

TIRANË, 13 prill /ATSH/- Nikolin dhe Vera Gruda, ndonëse një çift në pension, u bënë nismëtarë të ndryshimit që ka prekur cilësinë e jetës të të gjithë banorëve të pallatit ku jetojnë.

Së bashku me administratorin e pallatit, Edmond Trako, ata bindën edhe banorët e tjerë që të shfrytëzonin mundësinë e ofruar nga Bashkia e Tiranës dhe duke përfituar nga Fondi i Komuniteteve, mundën të rikonstruktonin pallatin e tyre, i cili sot është transformuar plotësisht. Kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, tha se ky transformim vjen si produkt i bashkëpunimit mes bashkisë dhe komunitetit të banorëve.

Ai theksoi se falë “Fondit të Komuniteteve”, banorët kanë përfituar një pallat estetikisht më të mirë, por edhe si rrjedhojë e termoizolimit, do të harxhojnë më pak për ngrohjen.

Por, që ky projekt të shtrihet edhe më tej në Tiranë, Veliaj theksoi se është e domosdoshme që pallatet të zgjedhin kryesitë dhe administratorët e tyre. Ndaj, ai ftoi banorët e pallateve që ende nuk e kanë përfunduar procesin e zgjedhjes së administratorit, ta bëjnë sa më parë, pasi do jetë pikërisht ai që duhet të bëjë aplikimin për të përfituar nga Fondi i Komunitetit.

Veliaj theksoi se deri më tani procesi i zgjedhjes së kryesive dhe administratorëve ka ecur me ritme të kënaqshme, çka ka ulur ndjeshëm problematikat që shqetësonin banorët dhe që kanë të bëjnë çështje të përditshmërisë së tyre.

Nga ana e tij, administratori i pallatit, Edmond Trako tregoi se si pasojë e këtij bashkëpunimi mes banorëve dhe Bashkisë së Tiranës, pallati ka ndryshuar plotësisht, ndërsa theksoi investimi ka rritur jo vetëm komoditetin, por edhe vlerën e pronës. z.tosku/ /a.fg/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.