Durrës, rritet përpunimi i mallrave në port

TIRANE, 13 Prill /ATSH/ -Gjatë 3 muajve të parë të këtij viti, në portin e Durrësit janë përpunuar 355 anije dhe tragete, duke shënuar një rritje prej 14%  më shumë mallra krahasuar me periudhën janar-mars të vitit 2017.
Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, gjatë këtij 3-mujori nga anijet dhe tragetet janë përpunuar në kalata mbi 894 mijë ton mallra të ndryshme gjithsej, ose afro 107 mijë ton më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Nga anijet janë përpunuar mbi 675 mijë ton mallra, ndërsa afro 219 mijë ton të tjerë janë transportuar dhe përpunuar nga kamionët dhe trajlerët, që shfrytëzojnë tragetet e linjave Durrës – Bari, Durrës – Ankona – Trieste e kthim.
Mallrat e eksportit të përpunuara në portin e Durrësit kanë patur një rritje prej 20% gjatë periudhës 3-mujore.
Ndërkohë importet kanë shënuar një rritje prej 9% gjithsej, krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2017.  /e.malaj/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.