BRUKSEL – Osmani: Maqedonia pret rekomandimin për fillimin e negociatave me BE-në

BRUKSEL, 13 prill /ATSH-MIA/ – Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, i ngarkuar edhe për integrimin europian të vendit, Bujar Osmani, pret që raporti për progresin e Maqedonisë drejt BE-së të japë rekomandim të pastër për fillimin e negociatave dhe të jetë më i miri deri më tani.

Ai i bëri thirrje edhe presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov që të lerë gjurmë pozitive në historinë e shtetit dhe ta nënshkruajë ligjin e gjuhëve.

Osmani u takua me Përfaqësuesen e Lartë të Politikës së Jashtme, Federica Mogherini, eurodeputetin Hans Van Balen si dhe me shefin e kabinetit të kryetarit të Këshillit Evropian, Donald Tusk.

“Kësaj here nuk është ekskluziv procesi i qeverisë, por i tërë shoqërisë, dhe paraqitja e opozitës në Parlament është kontributi i rëndësishëm në këtë proces që kërkon konsensus kombëtar”, deklaroi Osmani.

“Presim që kritikat të jenë më të vogla prej të gjitha raporteve deri më tani. Jo për shkak se Maqedoni nuk ka shumë për të bërë, megjithatë realisht Maqedonia ka bërë pak gabime në këtë periudhë. Edhe Komisioni Europian këtë e sheh si angazhim, si vlera të cilat i ndajmë dhe këtë e vlerësojmë”, theksoi Osmani.

“Mbetet që presidenti i shtetit të reflektojë në muajt e fundit të mandatit të tij, të japë të paktën një shenjë se është faktor në kohezionin e shoqërisë, të lerë gjurmë për bashkëjetesë të mëtejshme, unitet të bashkësive dhe vetë shtetit”, shtoi ai./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.