150 mijë euro për ndërtimin e Qendrës Kulturore në Junik

PRISHTINË, 13 prill /ATSH/ – Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi priti sot në një takim Kryetarin e Komunës së Junikut Agron Kuqin, me të cilin biseduan për projekte të ndryshme në fushën e kulturës, të cilat mund të realizohen nga ana e MKRS-së në Komunën e Junikut.

Theks të veçantë iu kushtua bashkëpunimit dhe implementimit të projekteve të përbashkëta në të mirë të qytetarëve të kësaj komune, e veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me avancimin e pozitës së rinisë në këtë komunë. Ministri Gashi u zotua se do t’a mbështeste financiarisht me vlerë prej 150 mijë euro komunën e Junikut për ndërtimin e Qendrës Kulturore dhe Rinore në këtë komunë, e cila do shërbej për nxitjen e të rinjve të kësaj komune në aktivitete të shumta.

Gjithashtu MKRS do të mbetet e përkushtuar që të ndajë fonde edhe për restaurimin e disa prej kullave dhe mullinjve të këtij qytetit, me qëllim të nxitjes së turizmit kulturor në këtë komunë.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Junikut e falënderoi ministrin për mbështetjen që i ka dhënë kësaj komune, duke shpresuar në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me institucionet qendrore, me qëllim të mbështetjes së rinisë, kulturës dhe trashëgimisë kulturore. /m.z//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.