FOTO/ Transformohet pjesa jugore e Parkut të Liqenit

TIRANË, 11 prill /ATSH/- Nga një ferrishte që shërbente për grumbullimin e mbetjeve, hapësira jugore e Liqenit Artificial të Tiranës është pyllëzuar e gjelbëruar për t’iu bashkuar Parkut të Madh.

Shumë shpejt kjo zonë do të aksesohet edhe nga qytetarët e apasionuar pas vrapit dhe pedalimit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në mbjelljen e 100 pemëve të tjera në këtë zonë të dhuruara nga FAF, shoqëria e parë financiare e zhvillimit në Shqipëri, ndërsa vlerësoi faktin se sot të gjitha institucionet, individët dhe bizneset kanë rritur përgjegjësinë e tyre sociale, duke kontribuuar për qytetin.

Veliaj tha se kjo zonë është pastruar nga të gjitha ndërtimet pa leje, është sistemuar dhe tashmë me gjelbërimin dhe korsitë e reja për vrapuesit dhe biçikletat krijon mundësinë që Parku të shfrytëzohet nga të gjithë.

Kryebashkiaku shtoi se krahas punës që po bëhet për të zgjeruar dhe rigjallëruar jetën në Parkun e Madh, Bashkia e Tiranës po punon për krijimin edhe të Parkut të Liqenit të Farkës, ku krahas mbjelljeve po investohet edhe në infrastrukturë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të mbjellë pemën e tyre dhe për të kontribuuar për gjelbërimin e qytetit. “Deri në datën 22 prill, në Ditën e Tokës, kemi mundësi të mbjellim pemë, më pas do vijojmë me aktivitete sportive dhe besoj që një Tiranë që është më e fokusuar tek puna, se sa tek dhuna, më e fokusuar tek gjërat konkrete se sa tek gjithologët, është Tirana që meriton çdo banor që ka zgjedhur t’a jetojë jetën e vet në kryeqytet”, shtoi Veliaj.

Administratori i FAF-it, Emin Barçi, vlerësoi nismën e mbjelljes së pemëve. “FAF ka 12 vjet që financon biznesin e gjelbër dhe pas 12 vitesh vendosi që të financojë edhe për një mjedis të gjelbër për qytetarët e Tiranës. Shpresojmë që kryetari të na e kthejë qytetin tonë në një ndër qytetet më të gjelbëruara, të paktën në Europë, sepse e meritojmë”, tha administratori i FAF, Barçi. /z.tosku/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.