KINË – Xi premton një fazë të re të hapjes ekonomike

189

HAINAN, 10 prill /ATSH/ – Kina do të ndërmarrë një numër masash të rëndësishme këtë vit për të zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme qasjen e saj në treg të kapitalit të huaj, deklaroi sot presidenti kinez Xi Jinping, sipas CRI.

Xi i tha këto gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e hapjes së konferencës vjetore të Forumit Aziatik të Boao-s, që ndryshe quhet Davosi kinez, në provincën jugore të Hainanit.

Në fund të vitit të kaluar, Kina njoftoi se do të ndërmerren masa për të rritur kapitalin e huaj në industritë bankare, të letrave me vlerë dhe të sigurimeve.

“Ne do të sigurojmë që këto masa të materializohen,” tha Xi.

“Kina do të përshpejtojë hapjen e industrisë së sigurimeve, do të lehtësojë kufizimet në krijimin e institucioneve financiare të huaja në Kinë dhe do të zgjerojë fushën e tyre të biznesit, si dhe do të hapë më shumë fusha bashkëpunimi mes tregjeve financiare kineze dhe atyre të huaja”, theksoi presidenti kinez.

Përsa i përket sektorit të prodhimit, Xi u shpreh se “Kina ka hapur më tej këtë sektor me disa përjashtime të vogla për automjetet, anijet dhe aeroplanët”.

“Këto industri janë tashmë në gjendje të zgjerohen. Duke ecur përpara, ne do të reduktojmë, sa më shpejt, burokracitë për investimet e huaja në këto industri, në veçanti për industrinë e automjeteve”, vazhdoi lideri kinez.

“Kina do të ulë ndjeshëm tarifat e importit për automjetet dhe do të ulë tarifat e importit për disa produkte të tjera këtë vit. Ne do të hedhim hapin për të zgjeruar importet”, tha Xi.

Ai njoftoi gjithashtu se “Kina do të forcojë mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, do të miratojë politika për të nxitur liberalizimin e standardeve të larta dhe lehtësimin e tregtisë dhe të investimeve, si dhe do të eksplorojë hapjen e porteve të tregtisë së lirë me karakteristika kineze”.

“Ne do t’i kushtojmë vëmendje të barabartë hapjes së tregut në vend dhe përhapjes sonë globalisht, duke hedhur hapa të tjera në hapjen e mëtejshme të Kinës drejt Lindjes dhe Perëndimit, përmes tokës e detit”, tha ai në fjalën e mbajtur gjatë konferencës vjetore në Forumin Aziatik të Boao-s./ /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.