FOTO/ Vazhdon mirëmbajtja e monumenteve të trashëgimisë kulturore

TIRANË, 10 Prill /ATSH/ – Kujdesi dhe mirëmbajtja e monumenteve të trashëgimisë tonë kulturore vazhdon të marrë çdo ditë e më shumë vëmendjen që meriton.

Këto monumente kulturore, vëzhgohen në mënyrë të rregullt nga inspektorët dhe institucionet përgjegjëse në mënyrë që të mirëmbahen për vlerat dhe historinë që ato mbartin.

Për shkak të vjetësisë të këtyre monumenteve ka dhe problematika të shumta të cilat duhet të rregullohen në mënyrë emergjente që këto site turistike të vazhdojnë të tërheqin sa më shumë turistë vendas e të huaj.

Në kishën e Shën Mërisë në fshatin Vraho Goranxi, një monument me vlerë historike dhe religjoze është vënë re nga specialistët se çatia e saj pikonte në disa vende.

Specialistët e DRKK-së Gjirokastër ndërhyn në monument menjëherë për të parë problematikën dhe rregulluan 14 m2 çati që kishte shfaqur probleme.

Kisha e Shën Mërisë në Vraho Goranxi, monument kulture i kategorisë së parë është pikturuar më 1622. Një nga autorët, është piktori i famshëm Onufër Qiprioti, i cili dallon për nga koloriti i veçantë.
Afresket e tij dallohen për nga qetësia dhe ekuilibri. Ato i përkasin shkollës beratase, jehona e së cilës u përhap nga Shqipëria e mesme deri në atë jugore. /a.alla/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.