Ahmetaj apel sipërmarrjes: Mos mbyllni qepenat

TIRANE, 10 Prill/ATSH/- Në ditën kur sipërmarrja e vogël është shprehur se do të ulë qepenat, në shenjë proteste kundër përfshirjes në skemën e deklarimit të TVSH-së për bizneset me xhiro mbi 2 milion lekë në vit, ministri i Financave dhe Ekonomisë i apeloi ata të të mos bien viktimë e politikës duke mbyllur qepenat.

Ministri po ashtu solli në vëmendje edhe disa nga politikat e marra nga kjo qeveri për uljen e barrës fiskale për këtë kategori.

“Mos mbyllni qepenat për të furnizuar një ego të sëmurë politike të bazuar në tokën e djegur siç e keni parë në vite, të një force politike që ska lidhje me ju. Mos harroni që ju kanë gjobitur dhe ju kanë ngarkuar me 1.5% taksë mbi xhiron dhe me 10% taksë të sheshtë”, apeloi ministri sipërmarrjen e vogël.

Sipas ministrit Ahmetaj ishte pikërisht kjo qeveri që lehtësoi barrën fiskale për këtë kategori.

“Është ky kryeministër që është kujdesur për lehtësimin e barrës suaj fiskale. Është kjo qeveri që bëri taksën zero për biznesin e vogël. Hoqi taksën e sheshtë në kurrizin tuaj dhe pjesës më të mirë ja bëri zero tatim fitimin”, u shpreh Ahmetaj.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.