94 milionë euro për bujqësinë, në maj hapen aplikimet për fondet e IPARD -it

TIRANE, 10 Prill /ATSH/- Në fillim të muajit maj nisin aplikimet për fermerët që duan të përfitojnë grante nga fondi i IPARD-it me vlerë 94 milionë euro, financim për bujqësinë dhe agrobiznesin.

Prioritet do të jenë mbështetja financiare e investimeve në fermë dhe përpunim.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi, i bëri apel fermerëve të aplikojnë për të përfituar nga skema e granteve IPARD II 2014-2020 që adresohen për zhvillimin e sektorit agroushqimor në Shqipëri.

Ministri Peleshi bëri të ditur sot në një komunikim me median se ka nisur takimet informuese në terren me grupet e interesit, duke e kthyer në sfidë përthithjen e të gjitha fondeve të vëna në dispozicion të sektorit të bujqësisë.

Për investime në fermat bujqësore, aplikohet në sektorin e prodhimit të qumështit, mishit, fruta-perimeve dhe vreshtarisë.

Fondi në formë granti prej 94 milionë euro i vënë në dispozicion përmes programit IPARD nga Bashkimi Europian  në vlerë 71 milionë euro dhe qeveria shqiptare 24 milionë euro, do të shkojë për financimin në bujqësi deri në vitin 2020  dhe do të mbështeten të gjitha degët e këtij sektori.

Skema e granteve IPARD, vjen pas aplikimit që kanë që kryer fermerët për të përfituar nga subvencionet kombëtare në bujqësi, që këtë vit kapi shifrën e 20 milionë dollarëve. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.