Revista serbe: Shqipëria, destinacioni i fundit i paeksploruar në Europë

TIRANE, 9 Prill/ATSH/- Revista prestigjoze serbe, Turisticki Svet, i ka dedikuar një artikull Shqipërisë turistike dhe strategjive të qeverisë për të tërhequr më shumë turistë nga e gjithë bota dhe për të krijuar një bashkëpunim historik rajonal në këtë sektor. – 

Intervistë ekskluzive: Blendi Klosin, ministri shqiptar i Turizmit dhe Mjedisit

E përballur me dekada me barrën e rëndë të së kaluarës, Shqipëria, që shumë e njohin përmes Enver Hoxhës, bunkerëve, shërbimit të sigurisë por edhe Skënderbeut – markës më cilësore shqiptare të konjakut, promovuesit më të mirë të heroit kombëtar emrin e të cilit mbart, për vetëm disa vite ka bërë një hap të madh në zhvillim, investime, infrastrukturë, hapje dhe bashkëpunim me botën, dhe veçanërisht në fushën e turizmit. Duke thyer me sukses paragjykimet, zbuluar anën e mirë të “vendit të shqiponjave” dhe njerëzve të saj mikpritës, por edhe me një përdorim të mençur të trashëgimisë të së kaluarës për të krijuar ofertë tërheqëse turistike, Shqipëria ka arritur të pozicionohet në tregun botëror të turizmit si një destinacion i ri, i paeksploruar, por i sigurt, dhe para se gjithash autentik, oferta e të cilit është thjesht – ndryshe. 

Pse turistët sot zgjedhin Shqipërinë, çfarë e bën atë vend që nxit kureshtjen, çka përmban strategjia e re e zhvillimit të turizmit, drejt cilave tregje po orientohet Shqipëria, si e sheh bashkëpunimin rajonal dhe për shumë çështje të tjera – e pyetëm Blendi Klosin, ministër shqiptar i Turizmit dhe Mjedisit, i cili në një takim së fundmi me ministrin tonë të sektorit Rasim Ljajiç u dakordësuan që sa më parë të nënshkruhet një marrëveshje për nxitjen e bashkëpunimit në sektorin e turizmit, dhe konfirmoi se angazhimi për krijimin e produkteve rajonale të turizmit për t’i synuar tregjet e treta është një nga detyrat e përbashkëta më të rëndësishme. 

UDHËTIM NË KOHË 

Si do të përshkruanit vendin tuaj po të ishit udhërrëfyesi turistik ekskluziv i tij?

Kemi qenë mjaft me fat që kemi pritur shumë turistë dhe udhëtarë nga e gjithë bota në 10 vitet e fundit dhe çdo herë i pyesim, “Përse Shqipërinë?”. Përgjigja e tyre e sinqertë është gati e njëjta, “është ndryshe, është e larmishme, është si një udhëtim në kohë”. Turistët që zgjedhin Shqipërinë si destinacion janë turistë me përvojë që kanë qenë përreth Europës dhe botës, kanë parë të gjitha nuancat e turizmit por kanë zgjedhur të jenë udhëtarë dhe janë të dhënë pas provimit të “eksperiencës”. Shqipëria është e arritshme për çdo turist që po kërkon një eksperiencë autentike. Ashtu si Lord Bajron, shekuj më pas ata kanë të njëjtin pasion, ata erdhën në Shqipëri sepse duan diçka ndryshe dhe sepse ata e konsiderojnë veten e tyre ndryshe nga shumica e turistëve. Ata vijnë në Shqipëri sepse duan të ndryshojnë nga rendi perfekt i Zvicrës apo Finlandës, sepse ata janë të lodhur nga ritmi i shpejtë i jetës në Londër apo Berlin dhe sepse ata duan t’i shpëtojnë radhëve të gjata me turistë në Romë dhe Paris. Ata vazhdojnë të vijnë në Shqipëri sepse ne sigurohemi që vizitorët tanë të kuptojnë sesa të rëndësishëm janë për ne, se ata janë të ftuarit tanë, miqtë tanë. Ata adhurojnë të shohin se si myslimanët dhe të krishterët nderojnë dhe martohen me njëri-tjetrin dhe si vendi i vogël i një zonje trupvogël, Shën Tereza e Kalkutës, por ashtu si ajo me një zemër shumë të madhe, mikëpriti shumë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shqipëria është destinacioni i fundit i paeksploruar në Europë, që ofron gati çdo gjë që natyra, kultura dhe trashëgimia mund të ofrojnë dhe ashtu si zonat arkeologjike ne duam që të zbulohemi me kujdes, pak e nga pak, duke ruajtur atë që na është lënë në trashëgimi. Shqipëria ka disa prej peizazheve më piktoreske që do të shihni ndonjëherë, male madhështore dhe plot mister, si dhe vija bregdetare joniane e thepisur, me fshatra tradicionalë të ngritur në gjire të izoluar dhe plazhe të artë që lagen nga ujëra të kaltër.

Vendi ynë ka një klimë tipike Mesdhetare, me 300 ditë diell, dimër të butë dhe verë të nxehtë. Ka 300 kilometra vijë bregdetare, pamje që të lënë pa frymë ku bashkohet eksperienca dhe aventura malore me atë bregdetare. Vendi është gjithashtu një territor i pasur me peizazhe të bukura natyrore, ku shumica janë të paeksploruara dhe presin vizitorët për eksperienca unike.

Zonat kulturore dhe natyrore të mbrojtura nga UNESCO në Shqipëri, si Berati, Gjirokastra dhe Butrinti, si dhe eventet artistike dhe kulturore që zhvillohen gjatë vitit pasurojnë ofertën e vendit për turizmin. Vizitorët vlerësojnë gjithashtu kulinarinë  e Shqipërisë, një përzierje e shijeve mesdhetare dhe ballkanike, me ndikime moderne të sjella nga chef-at e trajnuar në vendet perëndimore, të cilët janë kthyer për të hapur sipërmarrjet e tyre këtu.

MBËSHTETJE STRATEGJIKE SHTETËRORE 

Ju tashmë keni bërë shumë që Shqipëria të jetë tërheqëse për turistët. Fillimisht dokumentet strategjike në këtë fushë: (çfarë parashohin) Ligji i ri për Turizmin dhe Strategjia për Zhvillimin e Turizmit?

– Ligji i ri për Turizmin i vitit 2015 dhe Strategjia për një Zhvillim të Qëndrueshëm të Turizmit 2018-2022 ofrojnë udhëzime të qarta për rrugën që Shqipëria duhet të ndjekë për të kthyer turizmin në kontribuesin kryesor të zhvillimit kombëtar. Këto dokumente synojnë konsolidimin e standardeve të turizmit dhe ngritjen e vazhdueshme të cilësisë së shërbimeve për vizitorët. Një vëmendje e veçantë i është dhënë shtrirjes gjithëvjetore të aktivitetit turistik, duke synuar që të eleminohet sezonaliteti. Dhjetorin e vitit të kaluar, Parlamenti shqiptar miratoi një paketë shtesë nxitëse ku i ofrohet investitorëve të hoteleve me katër dhe pesë yje një përjashtim nga taksat për 10 vite, TVSH të reduktuar në 6% për të gjitha shërbimet e pritjes, përjashtim nga taksat mbi infrastrukturën dhe ndërtimin. Qeveria ofron një kuadër rregullator të favorshëm për bizneset, duke garantuar një zhvillim të shpejtë dhe një rritje të konkurueshmërisë së turizmit të Shqipërisë.

Marrëveshja e firmosur së fundmi mes qeverisë shqiptare dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) shënon një hap të madh drejt zhvillimit të transportit ajror në Shqipëri. Çfarë do të thotë kjo për turizmin?

– Kjo marrëveshje i heq të drejtën ekskluzive operatorit të Aeroportit të Tiranës për fluturimet tregtare ndërkombëtare (kargo dhe pasagjerë), duke synuar që të rrisë sektorin e aviacionit civil, duke sjellë kompani të reja ajrore për të krijuar një akses më të lehtë nga e gjithë bota. Parlamenti shqiptar autorizoi qeverinë që të negociojë me një konsorcium që ka shprehur interes për të zhvilluar një aeroport të ri në jug, pranë qytetit të Vlorës. Perspektivat janë optimiste edhe për aeroportin verior të Kukësit. 

Çfarë fushate turistike po përdor Shqipëria dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit për të pozicionuar Shqipërinë në hartën botërore të turizmit? Ku është fokusuar fushata e marketingut për këtë vit?

– Nëpërmjet një marketingu efikas dhe promovimit të Shqipërisë ne synojmë të bëhemi një destinacion i njohur dhe i një niveli të lartë për tregjet e synuara. Pavarësisht mënyrës si shihen rëndom brandimi kombëtar dhe marketingu i turizmit, përpjekjet tona nuk janë fokusuar për të sjellë volume masive të vizitorëve, por numrin e duhur të vizitorëve me pritshmëritë e duhura për eksperiencat e duhura, në mënyrë që ata të vlerësojnë bukurinë natyrore të Shqipërisë dhe të janë miqësorë ndaj mjedisit. Aktiviteti ynë i promovimit të turizmit synon tregje të ndryshme në botë, duke u fokusuar në rajon, Europën Qendrore dhe Perëndimore, tregjet aziatikë dhe amerikanë. Për më tepër, që të promovojmë Shqipërinë si një destinacion, kemi përcaktuar katër zona prioritare të zhvillimit dhe promovimit të turizmit. Nëpërmjet marketingut tonë kemi fokusuar vizitorë potencialë të interesuar për Alpet e Shqipërisë (natyrë dhe sporteve të aventurës), Jugun e Ri (plazhi, kultura dhe malet), Tiranën (qendër konferencash dhe fundjavë) dhe Marinën.

PËRKUSHTIM NDAJ BASHKËPUNIMIT RAJONAL

Në një takim së fundmi me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e turizmit Rasim Ljajiç, keni diskutuar për avancimin e bashkëpunimit në sektorin e turizmit, me fokus në zhvillimin e produktit rajonal turistik dhe paraqitjes së përbashkët në tregjet e treta, para se gjithash në Kinë, Indi dhe Iran. Hapi i parë i rëndësishëm do të jetë organizimi i takimit rajonal të ministrave të turizmit në Tiranë në muajin Maj. 

– Promovimi i Ballkanit Perëndimor si rajon, përtej promovimeve turistike që vendet realizojnë veç e veç, shpalos më shumë tërheqjen e vendeve të Ballkanit për tregjet e largëta turistike. Një integrim i tillë rajonal zgjeron dhe forcon impaktin e zhvillimit ekonomik të vendeve tona në veçanti dhe komuniteteve që janë të lidhur, si dhe rigjallëron marrëdhëniet ndërkufitare që kanë qenë të dëmtuara nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Bashkëpunimi rajonal është një çelës për rritjen ekonomike. Ne po konkurrojmë me superfuqi botërore të turizmit dhe shpesh herë synojmë të njëjtat tregje, prandaj zhvillimi i një ofertë të turizmit rajonal besoj se shënon njëkohësisht një çast historik, si dhe një hap të nevojshëm në drejtim të një rajoni më të pasur dhe të qëndrueshëm. Ne i kemi dërguar ftesat tona tek ministrat e Turizmit të Bosnje- Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, duke i ftuar ata në Tiranë gjatë Panairit Mesdhetar. Një panel diskutimi i nivelit të lartë me gjashtë ministrat do të jetë pjesë e axhendës për të dhënë detaje mbi bashkëpunimin rajonal në sektorin e turizmit. Më lejoni të rikonfirmoj angazhimin e qeverisë së Shqipërisë për një bashkëpunim rajonal të përgjithshëm dhe mbi turizmin në veçanti.

Cilat destinacione turistike do të jenë më “in” këtë vit në Shqipëri? Cilat janë të rejat e ofertës turistike të Shqipërisë? Diku kam lexuar tituj si: Shqipëria krijon atraksion turistik nga baza ushtarake buzë detit Adriatik!; Pushim në një bunker! Janë të vërteta? 

– Udhëtimi në Shqipëri është një kombinim mes parajsës natyrore dhe muzeumeve të gjallë kushtuar kulturës. Aktivitetet përfshijnë hiking (ecje në mal) të nivelit të lartë, çiklizëm, kajak dhe rafting, zhytje, parashutizëm, vëzhgim të zogjve, shëtitje me mushka dhe kuaj, si dhe çdo gjë tjetër që ju mund të imagjinoni të kryhet në ajër, tokë dhe ujë. Angazhimi i vendit për zhvillimin e një turizmi të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm është një cilësi që mbetet tërheqëse për turizmin ekologjik. Alpet e Shqipërisë janë pjesë e Alpeve Dinarike që kalojnë përmes Europës Juglindore. Alpet e Shqipërisë janë një parajsë për të apasionuarit e hiking, me Valbonën, Komanin dhe Thethin si destinacionet më tërheqëse. Shtigjet ku ecet lidhin Alpet e Shqipërisë me vendet fqinje si Kosova dhe Mali i Zi.

Një produkt i veçantë dhe dallues i turizmit të Shqipërisë lidhet me të shkuarën e saj komuniste. Një bazë ushtarake në ishullin Sazan, baza më sekrete e vendit gjatë komunizmit, është hapur për vizitorët. Ishulli i Sazanit, që fillimisht u hap për turistët e huaj në vitin 2015, për herë të parë në 70 vite do të jetë i hapur për vizita të planifikuara për gjashtë muaj. Një numër bunkeresh të epokës komuniste janë hapur për publikun. “Bunk’Art”, i transformuar në një kombinim mes muzeut dhe hapësirës së artit, është më i vizituari mes bunkerëve dhe është ndërtuar në vitin 1970 për elitën politike dhe ushtarake të Shqipërisë. Një prej muzeve më të rinj është Shtëpia e Gjetheve që për disa është e barazvlefshme me zyrat e Stazit të ish-Gjermanisë Lindore.

DESTINACIONET QË NUK DUHEN HUMBUR

Cilat janë destinacionet që patjetër duhen vizituar për të ndjerë shpirtin dhe kulturën e shqiptarëve? Çili në veçanti është elementi ndryshe që vizitorët mund ta përjetojnë? 

– Zonat e trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë në mbrojtjen e UNESCO, Berati, Gjirokastra dhe zona arkeologjike e Butrintit janë destinacione që duhet të vizitohen patjetër nga çdo vizitor, në veçanti nga turistët kulturorë. Për adhuruesit e natyrës, Alpet e Shqipërisë, Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, Laguna e Karavastasë, Liqenet e Lurës, Kanionet e Osumit nuk duhen humbur. Për sa i përket rivierës, vizitorët janë të mirëpritur të eksplorojnë vijën bregdetare të mrekullueshme ku takohen deti Adriatik me atë Jon, një atraksion shumë i rrallë. Për të gjitha këto destinacione ka shumë ture dhe udhëtime me aventurë, duke angazhuar vizitorët që të provojnë një turizëm aktiv. Ushqimi është jashtëzakonisht i shijshëm. Me nxitjet e fundit të aktivitetit të agroturizmit, fshatrat shqiptarë po bëhen destinacione shumë tërheqëse. Shqipëria është lehtësisht e arritshme dhe po investon fuqishëm për të përmirësuar më shumë infrastrukturën. Përveç rrjetit rrugor, një numër i madh investimesh janë bërë në projekte që janë duke u zhvilluar, përfshirë aeroporte dhe porte të rinj.

A janë të interesuar turistët nga Shqipëria për të vizituar Serbinë apo Beogradin? Në opinionin tuaj si mund ta përmirësojmë bashkëpunimin turistik? 

– Gjatë vizitës time në Beograd, bashkë me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Turizmit, Z. Rasim Ljajiç, ramë dakord mbi shumë çështje, si pjesë e axhendës tonë respektive për marrëdhënie dypalëshe. Një marrëveshje mes dy ministrave, që synon të rrisë shkëmbimin turistik dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Serbisë, do të nënshkruhet së shpejti. Ne besojmë se detyra e qeverive tona përkatëse është që të krijojmë një mjedis të përshtatshëm ku operatorët turistikë dhe njerëzit të kenë mundësi më të mira për t’u angazhuar në aktivitete të përbashkëta dhe për të rritur shkëmbimet.

Përktheu Gent Sinani /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.