Mosbindja civile e opozitës, Bashën nuk do ta ndjekë njeri prapa

TIRANË, 7 Prill/ATSH/.-“Për Lulzim Bashën sot koefiçenti i lumturisë matet me sa mund t’i bëjë keq Shqipërisë”, tha sot Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndërsa shprehu bindjen se Bashën nuk do ta ndjekë njeri prapa në thirrjen e tij për mosbindje civile.

Balla mori pjesë në një takim që u zhvillua në Elbasan për të konsultuar me grupet e interesit strategjinë kombëtare të punësimit. Një nismë kjo e Grupit Parlamentar të PS-së, për rritjen e mëtejshme të punësimit dhe adresimin e tij sipas nevojve të tregut.

Në fjalën e tij, Balla u shpreh se ndihma ekonomike është një zgjidhje e përkohshme dhe se ajo nuk të shpëton, por thjesht të zgjat vuajtjen.

“Ilaçi më i mirë për familjet e varfra në Shqipëri nuk është ndihma ekonomike, por kapacitetet e ekonomisë sonë, vendimarrja dhe politikbërja jonë që t’i shkëpusim nga ndihma ekonomike, për t’i futur në punësim”, tha Balla.

Balla gjatë fjalës së tij ironizoi edhe mosbindjen civile të opozitës, ku tha se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk paguan faturën e ujit të pijshëm nga shtatori i 2017.

“Ky është i pari që e ka filluar “mosbindjen civile”, pastaj po e ndoqi njeri mbrapa mirë. E sigurtë që nuk do ta ndjekë njeri mbrapa”, tha Balla.

Ndërsa përsa i përket protestës së organizuar nga opozita, duke bllokuar akset rrugore dhe duke djegur goma, Balla përcolli fjalët e një sipërmarrësi nga Elbasani. “Kishim një vit që në Elbasan nuk kishim më tym, sepse ishim mësuar me tymin e plehrave, por Monika me Edmond Spahon na khyen dje tymin, duke djegur goma në Bradashesh. Na kishte marrë malli për tym sepse kishim 26 vite që hanim tym, por falë Edi Ramës, Elbasani është shëruar nga një prej sëmundjeve më të mëdha që ka pasur në gjithë këto vite tranzicioni, shërimi ndaj sëmundjes së tymit të plehrave”, tha Balla, duke cituar sipërmarrësin.

Detyra jonë, tha Balla, është të vazhdojmë t’ i bëjmë mirë Shqipërisë.

“Edhe pak ditë, pavarësisht tymit të gomave, çizmeve, klithmave, ne do të kemi mundësi që më 17 prill të marrim një lajm të mirë për Shqipërinë, që është rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Jam shumë i sigurtë çizmet , klithmat, gomat, Luli, Saliu, Monika do vazhdojnë të njëjtën këngë, detyra jonë është të krijojmë sa më shumë punë për shqiptarët, të cilët ende nuk kanë pasur mundësi t’ju jepet një vend pune”, tha ai./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.