TVSH-ja, çfarë ndryshon për biznesin e vogël

702

TIRANË, 6 Prill/ATSH/- Nga data 1 prill 2018 kanë hyrë në fuqi ndryshimet ligjore në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, sipas të cilave çdo tatimpagues, që kryen furnizim mallrash ose shërbimesh, i cili për vitin kalendarik 2017, ka realizuar një qarkullim nga 2-5 milionë lekë, është regjistruar automatikisht nga administrata tatimore në skemën e TVSH-së.

Në mbi 100 sesione trajnimesh për biznesin e vogël në çdo drejtori rajonale dhe në rreth 10 mijë vizita këshilluese, Administrata Tatimore i ka shpjeguar biznesit të vogël se si duhen plotësuar deklaratat tatimore, pas përfshirjes në skemën e TVSH-së.

Regjistrimi

Për tatimpaguesit ekzistues, DPT-ja ka përgatitur listën e tatimpaguesve që duhet të regjistrohen për TVSH me deklarim tremujor, duke u bazuar në deklarimet e pajisjeve fiskale për vitin e fundit dhe në deklaratën e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin. Regjistrimi i tyre do të bëhet në një fazë të vetme në mënyre automatike. Tatimpaguesve që kanë rezultuar në këtë listë u është bërë njoftim paraprakisht për detyrimin që të kalojnë në skemën e TVSH nga data 1 Prill 2018.

Për sa i përket regjistrimit është parashikuar që tatimpaguesit e rinj që plotësojnë kërkesat e ligjit (xhiro 2 deri në 5 milionë), do të regjistrohen për TVSH dhe do të kategorizohen automatikisht në bazë të xhiros së parashikuar vjetore në momentin e regjistrimit në QKB apo në administratën tatimore.

Deklarimi

Deklaratat e TVSH-së do të gjenerohen në fillim të periudhës mujore dhe do të dorëzohen në bazë mujore, për çdo tremujor. Bazuar në kategorinë në lidhje me deklarimin, në momentin e gjenerimit të deklaratës për një tatimpagues, sistemi llogarit datën e pritshme të duhur të deklaratës, e cila është 14 e muajt pasardhës për ata me deklarim mujor, ose 14 të muajit pasardhës të tremujorit përkatës, për ata me deklarim tremujor.

Librat e shitjes dhe blerjes

Librat e Shitjes dhe Blerjes do të dorëzohen në bazë mujore, për çdo tremujor. Afati i deklarimit do të jetë brenda datës 10 të muajit pasardhës, apo brenda datës 10 të muajit pasardhës pas periudhës përkatëse të tremujorit, në varësi të shenjuesit për deklarim mujor ose tremujor për tatimpaguesin.

Tatimpaguesi do të njoftohet në llogarinë e tij në sistemin elektronik për regjistrimin për TVSH, ndryshimin e kategorisë për afatin e deklarimit të deklaratës – mujor apo tremujor.

DPT thotë se në total janë zhvilluar rreth 100 sesione trajnimesh, janë hapur 13 kënde të asistencës për biznesin e vogël në çdo drejtori rajonale, janë kryer rreth 10 mijë vizita këshilluese në adresën e biznesit, si dhe janë shpërndarë fletëpalosje dhe materiale informative të posaçme për një numër të konsiderueshëm tatimpaguesish të biznesit të vogël në të gjithë vendin.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.