Pashkët Ortodokse, Gjuriç lejohet të hyjë në Kosovë

PRISHTINË, 6 Prill/ATSH/.- Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës i ka dhënë leje Marko Gjuriç, që të hyjë në Kosovë.

Shefi i zyrës serbe për Kosovën, Gjuriç do të vijë nesër për festën e Pashkëve Ortodokse.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Rejhan Vuniçi tha për KosovaPress se “kërkesa i është aprovuar në frymën e paqes dhe mirëkuptimit me rastin e festës”.

“Pa marrë parasysh që është zyrtar, ai sikurse secili pelegrin tjetër e gëzon të drejtën që të lutet në cilëndo kishë që ai dëshiron. Rregullat do t’i respektoj, pasi është përballur dhe njohur me realitetin e ri në Kosovë dhe nëpërmjet tij, me këtë realitet është njohur secili zyrtar i shtetit serb”, theksoi Vuniçi.

Gjuriç më 26 mars u arrestua në veriun e Mitrovicës, pasi i ishte ndaluar hyrja në Kosovë. Policia e Kosovës e arrestoi Gjuriç, gjatë një takimi në veri të Mitrovicës. Më pas ai u soll në Prishtinë dhe u dërgua në kufirin në Merdare, ku iu dorëzua autoriteteve serbe. /KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.