Milena Harito nderohet në Francë me “Urdhërin e Meritës”

TIRANË, 6 Prill /ATSH/ – Milena Harito, ish-ministrja e Inovacionit në qeverinë Rama 1 dhe aktualisht Koordinatore e zonës ekonomike të Ballkanit, është nderuar në Francë me “Urdhërin e Meritës”, të akorduar nga Presidenti Francez, Emmanuel Macron.

Harito falenderon Republikën Franceze për vlerësimin që i ka bërë për rrugëtimin e saj profesional dhe rezultatet e arritura në Francë e në Shqipëri.

Titulli i është dorëzuar Haritos nga Ministrja Franceze e Çështjeve të Europës, gjatë një ceremonie të organizuar nga qeveria franceze.

“Nderi që më bëhet sot, grada e kalorësit të ‘Urdhrit Kombëtar të Meritës’ është mishërimi i vlerave që Franca përfaqëson në sytë e botës, vlera të cilat më kanë shoqëruar përgjatë gjithë viteve këtu. Vlerat e respektit, barazisë, hapjes, meritës dhe punës, vlera të cilat nuk janë vetëm simbolike por thellësisht të rrënjosura tek çdo njeri, me të cilin unë kam bërë këtu një copë rrugë, në jetën profesionale ose private”, është shprehur Harito në fjalën e saj gjatë ceremonisë.

Milena Harito ka jetuar e punuar për rreth 20 vjet në Francë, duke mbajtur detyra të rëndësishme drejtuese në kompani të mëdha në sektorin privat. Ajo u kthye në Shqipëri për t’u përfshirë në Partinë Socialiste në zgjedhjet e viti 2013 dhe më pas u caktua Ministre e Inovacionit dhe Administratës Publike. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.