Kosovë- Rreth 100 arkitektë diskutojnë për transformimin urban

Prishtinë, 6 prill/ATSH/.- “Hapësira rinore dhe transformimi urban”, është tema e konferencës tre ditore ndërkombëtare e organizuar në Prishtinë nga Instituti Amerikan i Arkitektëve (AIA)–Europë, me pjesëmarrjen e rreth 100 arkitektëve nga vende të ndryshme të botës.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie në hapjen e konferencës, duke folur për rëndësinë që ka arkitektura theksoi se është shumë i rëndësishëm transformimi i hapësirave publike për të mirën e qytetarëve.

Diplomati amerikan u shpreh se “Prishtina ka sfida infrastrukturore, në përmirësimin e të cilave arkitektët mund të ndihmojnë shumë”.

Diplomati amerikan me këtë rast tregoi detaje lidhur me ndërtesën e re të ambasadës amerikane, që po ndërtohet në Prishtinë dhe pritet të përfundojë këtë vit.

Sipas tij, ndërtesa e re e ambasadës amerikane pritet të plotësojë kriteret e duhura për mbrojtjen e ambientit, zvogëlimin e shpenzimeve të energjisë, si dhe uljen e ndotjes së ajrit.

Ndërsa ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, në fjalën e saj theksoi se “ministria ka punuar shumë që të plotësojë kornizën ligjore që rregullon sistemin e ndërtimeve të veçanta në Kosovë”.

Ministrja po ashtu vlerësoi rolin e qytetarëve në planifikimin e hapësirave, duke thënë se pjesëmarrja e tyre ndikon në përmirësimin e kushteve.

Reshitaj përmendi edhe ofrimin e mundësive për të rinjtë, që të kontribuojnë në këto projekte për ndërtimin e qyteteve dhe fshatrave.

Ajo paraqiti edhe disa projekte, të cilat po zhvillohen edhe në komunat minoritare të Kosovës.

Konferenca “Hapësira rinore dhe transformimi urban”, do të zhvillojë punimet deri më 8 prill./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.