Hapja e negociatave nuk varet nga klima politike

TIRANË, 6 Prill/ATSH/- Klima politike nuk është kusht për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, gjithçka do të varet nga plotësimi i pesë kushteve të paracaktuara nga Këshilli i Europës.

I këtij mendimi është ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman, i cili të premten ishte në Shkodër, në kuadër të një tryeze të rrumbullakët organizuar nga Ambasada Britanike me fokus: “Mundësitë e Parandalimit të Krimit dhe Aktivitetit Kriminal tek të Rinjtë”.

“Vendimi i Komisionit të Europës për hapjen e negociatava për Shqipërinë, do të varet nga arritjet në përmbushjen e 5 prioriteteve dhe jo në klimën e brendshme politike. Vendimi përfundimtar do të merret në qershor gjatë Këshillit të BE dhe në vetvete, fakti që ka mosdakordësi politike, nuk e pengon një shtet që të bëhet pjesë e BE, nuk është një nga kriteret e anëtarësimit”, tha ambasadori Norman, gjatë një prononcimi për mediat.

Ai deklaroi se të protestosh është një e drejtë që i takon çdo qytetari, por në asnjë rrethanë nuk mund të justifikohet dhuna. “Qëndrimi është që çdokush ka të drejtë të protestojë, por e rëndësishme është që këto protesta të jenë paqësore, pasi asnjë shkak apo kauzë nuk e justifikon përdorimin e dhunës”, vijoi ambasadori i Britanisë së Madhe.

Sipas tij, mes Shqipërisë dhe Britanisë po vijon një punë e madhe në kuadër të operacioneve për sekuestrimin e aseteve pasurore të arritura përmes krimit.

Ne punojmë shumë ngushtë me Ministrinë e Brendshme dhe ministrin Xhafaj dhe vetëm muajin që shkoi pata kënaqësinë të udhëtoja me zotin Xhafaj në Britani, në Londër. Bashkëpunimi mes dy qeverive tona përmbledh një seri të gjerë çështjesh ku përfshihet edhe krimi i organizuar. Një nga gjërat që jemi duke diskutuar tani është se si mundemi të adresojmë së bashku çështjen e sekuestrimit të aseteve. Është shumë e qartë që një nga mënyrat efikase për të luftuar apo goditur kriminelët, është pikërisht t’i godasësh atje ku u dhemb më shumë, tek financat e tyre. Jemi në diskutime me Ministrin për të parë mënyrat si mund të bashkëpunojmë më ngushtë”, tha ambasadori i Britanisë Duncan Norman./a.f//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.