BERZH mbështet Kosovën në infrastrukturë dhe sektorin privat

Prishtinë, 6 Prill/ATSH/.- Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), do të mbështesë Kosovën në sektorin privat, ekonominë e gjelbër dhe infrastrukturë.

Kështu u theksua në takimin trepalësh mes qeverisë së Kosovës, zyrtarëve të BERZH-it dhe kryetarëve të komunave të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se “marrëdhënia me BERZH-in është garanci se projektet e komunave do e shohin dritën”.

Haradinaj garantoi krerët e komunave se do të kenë përkrahjen e qeverisë për realizimin e projekteve të tyre.

Gjatë këtij takimi trepalësh, Haradinaj tha se “pas takimit të sotëm do të fillojë një etapë e detyrimeve mes institucioneve të vendit dhe BERZH-it”.

Shefi i Zyrës së BERZH-it në Prishtinë, Neil Taylor në fjalën e tij theksoi se “BERZH-i është një partner afatgjatë për Kosovën. Që nga 2012-ta janë investuar 312 milionë euro në 81 projekte nga sektori publik dhe ai privat në vend”.

“Duam të bëjmë më tepër në Kosovë dhe ky është qëllimi ynë, që të punojmë më shumë. Kemi tre fusha parësore: sektorin privat, ekonominë e gjelbër dhe infrastrukturën”, tha shefi i BERZH-it, duke shtuar se ekziston mundësia që të bëhet më shumë në projektet që kanë ndikim në rritjen ekonomike.

Takimi i sotëm kishte qëllim përparimin e mëtejshëm të këtyre projekteve, për të gjetur mundësinë më të shpejtë për investimin dhe realizimin e tyre.

Institucionet e përfshira në këtë proces tani do të përgatisin projektet parësore, të cilat do të mbështeten nga BERZH-i dhe qeveria e Kosovës./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.