AKU sekuestron 115 kg mish qengji e keci të pakontrolluar

TIRANË, 6 Prill /ATSH/ – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të masave për disiplinimin e therjeve dhe të tregtimit të mishit në funksion të sigurisë ushqimore ka sekuestruar gjatë pasdites së sotme 115 kg mishi qengji dhe keci në 23 karkasa, të therura në mënyrë të paligjshme në një stallë bagëtish në pronësi të shtetasit Adem Seriani, në malin Sopot të Delvinës. Trupa e inspektimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Qarku Vlorë, gjatë kontrollit në këtë stallë bagëtish ka sekuestruar në mënyrë të menjëhershme 23 karkasat e qengjave dhe kecave me peshë 115 kg.

Për therje dhe tregtim të mishit në mënyrë të paligjshme, trupa inspektuese e AKU-së ka marrë masën administrative ndaj këtij shtetasi me vlerën e 100 mijë lekëve dhe gjithashtu ka bërë edhe bllokimin e menjëhershëm të aktivitetit. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i vendosur për të gjurmuar dhe ndaluar çdo therje jashtë thertoreve edhe në zonat më të largëta, inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast therjeje apo tregtimi jashtë standardeve. Në këto ditë festash trupat inspektuese të AKU-së janë duke shtuar kontrollet në të gjithë territorin, për të parandaluar çdo tentativë abuzimi. Siguria ushqimore është një sfidë e përbashkët. /a.f//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.