Ahmetaj: Deklarimi i TVSH-së nuk ka kosto për bizneset, as rritje çmimesh

TIRANE, 6 Prill/ATSH-A.Gjonaj/- Përfshirja në skemën e deklarimit të TVSH-së e rreth 10 mijë tatimpaguesve të biznesit të vogël nga data 1 prill nuk përkthehet në kosto për biznesin, por as në rritjen e çmimit të konsumatorit.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në një prononcim për ATSH-në deklaroi se përfshirja në skemën e TVSH të bizneseve me xhiro mbi 2 milionë nuk është taksë e re, është deklarim.

“Nuk ka kosto për bizneset dhe nuk ka rritje çmimesh. Nuk ka furnizim apo mall pa TVSH, përveç atyre që janë të përjashtuara me ligj. Mallra pa TVSH janë vetëm ato që janë jashtë sistemit fiskal, që janë evazion. Pra një mall, pavarësisht ku shitet, ka brenda çmimit të vet në strukturë TVSH-në. Në rastin kur shitet tek dyqani i lagjes, nuk e ka të ndarë TVSH-në në faturë dhe kjo është diferenca”, deklaroi ai.

Kjo nismë ligjore do të ketë efekte fare minimale në të ardhurat e buxhetit të shtetit. Kontributi i kësaj fashe të biznesit në të ardhurat tatimore është dhe do të jetë fare modest dhe i parëndësishëm.

Përmes nismës synohet të reduktohet masa e informalitetit, jo vetëm në këtë fashë të tatimpaguesve, por edhe në fashat e tjera me të cilat ajo bën transaksione shit-blerjeje.

I gjithë procesi do të shoqërohet me kosto financiare minimale për bizneset. Bëhet fjalë për të njëjtën kosto që ato përballojnë aktualisht për deklarimin dhe pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe të Tatimit të të Ardhurave Personale.

Procesi do të ketë më shumë kosto për administratën tatimore, pasi do të administrojë më shumë tatimpagues të regjistruar në TVSH, pra më shumë tatimpagues për monitorim të sjelljes në TVSH lidhur me deklarimin, me pagesën, me borxhet, me kreditë e krijuara, etj.

Duke qenë se nuk do të ketë rritje të kostos për biznesin, nuk parashikohet rritje e çmimeve të mallrave për konsumatorin.

Çmimet në treg vendosen në bazë të kërkesë-ofertës dhe jo në bazë të dëshirës së një tatimpaguesi, apo të një kotegorie tatimpaguesish.

Edhe nëse do të ketë tentativë të këtyre bizneseve për të rritur çmimet, që ditën e parë që ato do të tentojnë të bëjnë një gjë të tillë, do të përballen me rënien e klientelës, pasi konsumatori në këtë rast nuk e ka të vështirë të drejtohet në supermarketin më të afërt apo në marketet që tashmë janë të regjistruar në TVSH.

Regjistrimi në TVSH i këtyre bizneseve do të inkurajojë dokumentimin e transaksioneve dhe formalizimin për të gjithë operatorët ekonomike, si për biznesin e vogël me qarkullim 2-5 milionë lekë, pasi do të jetë i interesuar për të marrë faturën e blerjes e për pasojë për të lëshuar kupon tatimor për shitjet e tij, ashtu dhe për bizneset e mëdha të cilat nuk do të kenë më mundësi të shesin pa faturë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.