11 milionë euro në skemën kombëtare të bujqësisë për agroturizmin

303

TIRANE, 6 Prill/ATSH/- Shqipëria i ka të gjitha kushtet për të marrë një pjesë të konsiderueshme të fondeve të Bashkimit Europian në dispozicion të zhvillimit të agroturizmit, si një vend shumë i larmishëm në kulinari, mite, legjenda si edhe me produkte tipike.

Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi në fjalën e mbajtur në ceremoninë e hapjes së Panairit Mesdhetar të Turizmit në Tiranë vuri në dukje se në Europë ka 88 mijë struktura agroturizmi, 150 milionë euro të angazhuara në agroturizëm, ka 5 milionë shtretër dhe punëson 500 mijë qytetarë.

Peleshi, duke vënë theksin në faktin se qeveria po punon për zhvillimin e këtij komponenti të ri të turizmit shqiptar, tha se në skemën kombëtare të mbështetjes së bujqësisë parashikohen edhe 11 milionë euro për zhvillimin e strukturave të agroturizmit, që aktualisht janë shumë të pakta në numër.

“Në skemën tonë të mbështetjes financiare, por edhe te programi që mbështet zhvillimin rural në Shqipëri, IPARD-i ka një dritare financimi të konsiderueshme. Janë 11 milionë euro për diversifikimin e ekonomisë në fshat, ku përfshihet agroturizmi. Po ashtu janë parashikuar edhe në skemën tonë kombëtare 11 milionë euro për të mbështetur strukturat e agroturizmit, punishtet e prodhimeve tipike dhe festat lokale”, bëri të ditur Peleshi.

Ai shtoi se festat këtë vit do të jenë pjesë e kalendarit të përbashkët të dy ministrive, të Bujqësisë dhe Turizmit.

”Kemi një program për të mbështetur me grante të vogla komunitetet lokale dhe bashkitë për të organizuar festat e tyre rreth një legjende, miti apo produkti tipik, në mënyrë që mozaiku i turizmit shqiptar të jetë sa më i pasur”, theksoi ministri.

Synimi, u shpreh ai, është që të shkojmë drejt një turizmi me 365 ditë që disafishon kontributin e vet në prodhimin e brendshëm bruto, pra drejtpërsëdrejti ndikon në mirëqenien e qytetarëve tanë./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.