Thaçi kërkon unitet politik për dialogun me Serbinë

Prishtinë, 5 prill/ATSH/.- Përmbyllja e dialogut politik me Serbinë, me marrëveshjen ligjërisht detyruese është interes kombëtar i Kosovës, që nuk njeh vijat ndarëse qeveritare dhe opozitare.

Kështu deklaroi Presidenti Hashim Thaçi në konferencën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Europiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) dhe Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG), me temë “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Bisedimet me Serbinë, ashtu siç e kanë bërë bashkë politikën kosovare në Konferencën e Rambujesë dhe në Procesin e Vjenës, do të duhej të na bashkonin edhe tani në finalen e Brukselit. Kjo është zgjidhja më e mirë për politikën kosovare, sepse ky unitet politik është i domosdoshëm nga ana e jonë, për të ofruar të gjitha garancitë e duhura për arritjen dhe zbatimin e marrëveshjes ligjërisht obliguese me Serbinë”, theksoi Thaçi, bën të ditur zyra e shtypit e Presidentit.

Ai u shpreh se “në politikën dhe në shoqërinë kosovare ende kemi një pajtim të gjerë, që duhen kryer punët e papërfunduara në raportet tona me Serbinë dhe duhet arritur marrëveshja ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve”.

Kreu i shtetit u shpreh se “në këtë proces, ne duhet të jemi të bashkuar për ta mbyllur këtë kapitull të rëndë dhe tragjik historik, që t’i hapim udhë Kosovës të jetë shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera në OKB, në BE, në Paktin NATO, kudo”.

“Ne si gjeneratë kemi arritur shumë. Kosova u çlirua. Kosova u bë shtet i pavarur. Por, rrëfimi për Kosovën i këtij brezi, nuk mund të marrë atë trajtën finale pa mundësuar që shteti i Kosovës të jetë anëtar i OKB-së, i BE-së, i Paktit NATO”, nënvizoi Thaçi duke shtuar se përmbushjen e këtij qëllimi ia kemi borxh qytetarëve të Kosovës.

Sidoqoftë, vijoi ai, kur flasim për dialogun e pakryer të Kosovës dhe Serbisë, është gjithashtu e vërtetë që ka gjithnjë e më pak durim për të zhvilluar tutje bisedime në Bruksel, pa një afat të qartë kohor për rrumbullakimin e tyre, pa një synim të qartë se çfarë përmbajtje duhet të ketë marrëveshja mes të dy shteteve, pa mekanizmat e qartë ndërkombëtarë, që do të garantojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Shpallja e ‘Strategjisë së zgjerimit të BE-së me gjashtë shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimor’, në fillim të muajit shkurt, por edhe shumë procese të tjera që janë të njohura për të gjithë ne, i kanë dhënë më shumë dritë perspektivës së ‘Finales së Madhe’ të dialogut të Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Thaçi shprehu bindjen se ka ardhur koha për marrëveshjen e madhe politike dhe historike mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në aspektin kohor, edhe në bazë të terminologjisë së përdorur në ‘Strategjinë për zgjerimin e BE-së’, flasim për një urgjencë në arritjen e marrëveshjes ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë. Urgjenca për ne dhe për Brukselin, e le të shpresojmë edhe për Beogradin, nënkupton që ky vit të jetë kornizë kohore për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Thaçi.

Sipas tij, sa i përket përmbajtjes së vetë marrëveshjes, ajo tashmë njeh një ‘kod’ të vetin politik dhe diplomatik, me titullin e një ‘marrëveshjeje ligjërisht detyruese’./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.