Tarifë të arsyeshme për banorët e Kukësit

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155712427781523/

TIRANE, 5 Prill/ATSH/-Kryeministri Edi Rama si dhe ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri zhvilluan një interpelancë me qytetarë të rrethit të Kukësit.

Banorët e qarkut të Kukësit vunë theksin në faktin se protesta e së shtunës ishte organizuar si një protestë ekonomike, por thanë ata, ajo u shfrytëzua.

Ata kërkuan nga kryeministri sqarime se pse qeveria ka pranuar këtë tarifë kaq të lartë duke qenë në dijeni se qarku i Kukësit është ndër më të varfrit.

Kryeministri Rama në përgjigje të kërkesave të banorëve deklaroi se pagesa nuk do të nisë pa u arritur formula për trajtimin e banorëve të Kukësit. Sepse tha ai, nuk duam të biem në kurthin ku ramë nga manipulimi dhe keqpërdorimi që ju bë banorëve me gënjeshtra.

“Do gjejmë midis nevojës dhe mundësisë atë pikë ideale të kënaqshme edhe për banorët edhe për mirëmbajtjen. Do të ketë një diferencim midis gjithë përdoruesve, përdoruesve të shpeshtë dhe banorëve të zonës”, deklaroi Rama.

Rama theksoi se tarifimi, është e vetmja mënyrë për mirëmbajtjen e kësaj rruge dhe se nëse ky proces nuk nis tani shumë shpejt, as Shqipëria, as Kosova nuk do të mund ta kenë në dispozicion këtë rrugë, pasi do të shkonte drejt degradimit.

Nuk ka asnjë ekspert, deklaroi kryeministri, që thotë se ka një mënyrë tjetër për të mirëmbajtur këtë rrugë.

“Tarifa prej 5 eurosh del nga kosto e mirëmbajtjes. Nëse i shmangemi kësaj vlere nuk do të mund të mirëmbanim rrugën”, tha ai.

Po ashtu, sipas kryeministrit, ish-paraardhësi i tij (Berisha) e ka deklaruar se rruga nuk mund të mirëmbahet nga buxheti dhe se ai vetë kishte zgjedhur tarifimin 8-9 euro pa tvsh.

E nënvizoj këtë, tha Rama, për të treguar se ka një hipokrizi të madhe në këtë histori.

Mirëmbajtja e rrugës, sipas tij, nuk do të çojë në varfërimin e zonës, pasi po ndërtohet aeroporti i Kukësit dhe do të ketë rritje të interesit të investitorëve.

Kreu i Ekzekutivit siguroi se do të ketë mbulim të kostos për transportin urban.

“Janë 7 linja urbane në atë zonë dhe do të ketë mbulim të kostos. Për përdoruesit e shpeshtë do të jetë një tarifë shumë më e ulët, por do të ketë tarifë”, deklaroi ai.

Duke folur për domosdoshmërinë e mirëmbajtjes, kryeministri tha se mirëmbajtja do të ulë edhe rrezikun nga aksidentet, pasi janë evidentuar 37 pika të rrezikshme dhe rruga deri në vitin e fundit që po mirëmbahet nga kompania bllokohej nga bora.

Mungesën e sqarimeve për banorët, Rama e quajti përgjegjësi të qeverisë që ai drejton.

“Nuk ka qenë mungesë komunikimi, as se kemi qenë indiferentë ndaj problematikës, apo se nuk e kemi vëmendjen tek shqetësimet tuaja, as nuk u la të shkonte në rrjedhë të lirë, por sepse nuk e vlerësuam si duhet këtë fazë. Ndërkohë që në fund të shkurtit ka nisur negociata me kompaninë për një pikë të kontratës, e cila është pikërisht për ata që quhen përdorues të shpeshtë të rrugës”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë iu përgjigj edhe thirrjes së kreut të bashkisë së Kukësit për lirimin e të arrestuarave për dhunën e ushtruar në protestën e së shtunës.

“Kryetarin e bashkisë së Kukësit nuk e kam takuar, pasi nuk u distancua nga dhuna. Ka kërkuar nga ana ime të kërkoj lirimin e njerëzve. Por, këto janë çështje të sistemit të drejtësisë dhe jo vendimmarrje e qeverisë. Kush ndalohet e procedohet, e vendosin organet e drejtësisë. Thirrja e tij shkon në adresë të gabuar, shkon në ajër”, tha Rama.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.