Sektori bankar në vend mbetet i qëndrueshëm

Miratohet Deklarata e Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2017

TIRANE, 5 Prill /ATSH/-Sektori bankar në vend mbetet i qëndrueshëm dhe zhvillimet pozitive në ekonominë reale, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2017, mbështetën zgjerimin e veprimtarisë së sistemit financiar në vend.

Këshilli Mbikqyrës i BSH-së, miratoi në mbledhjen e fundit të saj deklaratën e Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2017

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji “Për Bankën e Shqipërisë”.

Në këtë raport, Banka e Shqipërisë vlerëson ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë ishte më i kufizuar, ku evidentohet përmirësimi i ndjeshëm i cilësisë së portofolit të kredisë në të gjithë elementet përbërëse.

“Ekspozimi ndaj rreziqeve të tjera është në nivele të administrueshme, por ka nevojë të vlerësohet në mënyrë të kujdesshme në vijimësi. Si rezultat, mundësitë e sektorit bankar për të zgjeruar më tej ndërmjetësimin financiar dhe përmirësuar treguesit e eficencës së veprimtarisë, janë përmirësuar”, citon BSH-ja.

Ndërsa aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet e veprimtarisë, në kushtet e niveleve të larta të likuiditetit, kapitalizimit të mirë dhe përfitueshmërisë, mbetet e plotë. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.