Taksa e qarkullimit s’mbulon dot borxhin e qeverisë ‘Berisha’ për rrugët

TIRANË, 4 Prill/ATSH-Maela Marini/ – Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj bëri sot një sqarim të detajuar për të treguar diferencën mes tarifës së përdorimit dhe taksës së qarkullimit.

“Ka filluar një diskutim jo i drejtë dhe i keqpërdoruar i taksës së qarkullimit. Taksa e qarkullimit është pjesë e thesit të madh të buxhetit të shtetit dhe si e tillë, nuk shkon me destinacion përdorimi, por për të financuar të gjitha shpenzimet publike të shumta, nga ndërtimi i rrugëve; pagesa e borxhit të trashëguar, sepse kjo qeveri nuk ka krijuar borxh të ri; në shëndetësi; pensione e deri te ndihma ekonomike etj”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj solli të dhëna dhe shifra konkrete se sa i kushtojnë buxhetit të shtetit investimet në rrugë nacionale, rajonale dhe lokale për të hedhur poshtë të gjitha zërat që pretendojnë se taksa e qarkullimit është e destinuar për rrugët.

“Duke iu referuar buxhetit të vitit 2013, rrugët nacionale nga buxheti i shtetit kanë tërhequr 40.7 miliard lekë ose 400 milionë dollarë. Në 2014 ku lamë gropën e madhe të borxhit investuam 230 milionë dollarë; në 2015 investuam 220 milionë dollarë; në 2016 investuam 157 milionë dollarë; në 2017 investuam 225 milionë dollarë dhe plani për 2018 është 244 milionë dollarë”, tha Ahmetaj, duke iu referuar shifrave vetëm për rrugët nacionale.

Nga viti 2014 deri në 2017, në total duke llogaritur edhe rrugët rajonale dhe lokale, sipas Ministrit, shpenzimet e alokuara shkojnë në 1.73 miliardë dollarë.

Nga ana tjetër, Ahmetaj theksoi se paratë e mbledhura nga taksa e qarkullimit në total për periudhën 2014-2017 shkojnë në 574 milionë dollarë.

“Si mund të pretendosh që kjo shumë të përballojë investimet për rrugët”, tha Ahmetaj.

Sipas tij, vetëm pagesat e borxheve të marra për rrugët, të detyrimit principal dhe interesit, shkon në total në vitin 2018 në 110 milionë dollarë.

Nga këto, tha Ahmetaj, 42 milionë dollarë janë ripagesat për “Rrugën e Kombit”, ose rreth 37 për qind e ripagesave për vitin 2018 shkojnë për borxhet e marra për “Rrugën e Kombit”, që nuk ka mbaruar akoma.

“Nëse taksa e qarkullimit mbledh 120 milionë dollarë në vit, gati e njëjta shumë shkon vetëm për pagesat e borxhit. Paratë e taksës së qarkullimit nuk mjaftojnë as për të paguar borxhet që janë marrë për rrugët, vetëm interesat e principali shkojnë 120 milionë dollarë në vit”, tha Ahmetaj. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.