Shqipëri-SHBA, forcim i bashkëpunimit ekonomik

TIRANË, 4 Prill/ATSH/.- Ambasadorja shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Floreta Luli-Faber zhvilloi në Uashington DC një takim me nën-sekretaren e Tregtisë për Administrimin e Eksporteve të SHBA-së, Mira Ricardel, një njohëse e mirë e Shqipërisë dhe çështjes shqiptare që ka dhënë një kontribut të çmuar sidomos gjatë luftës së Kosovës.

“Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të parashtruar interesin e Shqipërisë për nxitjen dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve dhe nxitjen e marrëdhënieve tregtare me SHBA-të”, shprehet ambasadorja Luli-Faber.

Ricardel ka dhënë një kontribut konkret në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si dhe ka vizituar Shqipërinë gjatë periudhës kur ka shërbyer si Zv/Ndihmës Sekretare e Mbrojtjes për Euroazinë.

Ambasadorja Luli-Faber pasi bëri një përmbledhje procesit të reformave të thella në vend, në kuadër të integrimit europian, u ndal veçanërisht tek reforma në sistemin e drejtësisë, reformat në sistemin e taksave, si dhe ndryshimet ligjore në kuadër të nxitjes së investimeve të huaja në vend.

Gjatë bisedës, ambasadorja Luli-Faber informoi Ricardel mbi fushat prioritare për investimet e huaja si: energjia, turizmi, nafta dhe gazi, sektori i teknologjisë së informacionit dhe zhvillimit të software-ëve, bujqësia, industria minerare dhe linjat e prodhimit.

Ricardel vlerësoi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në vend, e në mënyrë të veçantë reformën në sistemin e drejtësisë, e cila padyshim do të krijojë kushte të favorshme për nxitjen e investimeve të huaja në vend.

Ajo shprehu gatishmërinë për të ofruar të gjithë mundësitë që çojnë në forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve tona.

Në takim mori pjesë dhe Presidenti i Këshillit shqiptaro-amerikan, Haxhi Dauti, të cilin kam mundësi ta falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme dhe punën e përkushtuar./k.s/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.