Shqipëri-Kosovë, qendra kulturore në shtete të ndryshme

TIRANË, 4 prill /ATSH/- Vizitën e Ministrit të parë për Diasporën në Turqi, shqiptarët e Stambollit e kanë cilësuar si një moment shumë të veçantë. “Shqiptarët kanë ardhur këtu që prej 1850-s, por pavarësisht se jetuan e u shkolluan në këtë vend, gjithmonë kanë qenë krenarë për origjinën e tyre”, tha një prej përfaqësuesve te komunitetit shqiptar në Stamboll.

Edhe Ministri Majko shprehu kënaqësinë e veçantë për takimin me përfaqësuesit e komunitetit, të organizuar nga shoqata “Vatra”.
“Shqiptarët janë pjesë e pandashme e historisë së Turqisë moderne. Miqësia e ndërtuar nga popujt tanë e jo politikanët, ka ndikuar në formësimin e atyre që ne jemi sot”, ishin fjalët e ministrit Majko.
Ai informoi të pranishmit lidhur me takimet e rëndësishme që kishte zhvilluar me përfaqësuesit e lartë të qeverisë turke, me të cilët siç tha, ishte dakordësuar për projekte në interes të shqiptarëve që jetojnë atje. Ministri foli për rëndësinë e krijimit të qendrave të tjera kulturore si ajo e Ankarasë dhe koordinimit më të mirë të shtetasve me origjinë shqiptare që jetojnë atje. Në këtë aspekt, u ndal tek bashkëpunimi me qeverinë e Kosovës, për ngritjen e qendrave kulturore në shtete të ndryshme. I pyetur nga përfaqësuesit e komunitetit mbi mundësimin e gjuhës standarde në qendrat ku ofrohen kurse të gjuhës shqipe, Majko foli për iniciativën e realizimit të një kurikulë të përbashkët me Kosovën dhe regjistrit zyrtar të të gjithë mësuesve të diasporës./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.