Qeveria e Kosovës aprovon emërimin e anëtarëve të Bordit të Trepçës

PRISHTINË, 4 Prill/ATSH/.- Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme aprovoi propozimin e Komisionit Rekomandues për emërimin e anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të “Trepça, Sh. A.”, duke përmbyllur kështu premtimin e qeverisë për plotësimin e të gjitha bordeve.

Po ashtu qeveria aprovoi vendimin për emërimin e anëtarëve të Këshillit shtetëror të cilësisë (KSHC) të Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA-së), duke përmbushur një tjetër zotim të funksionalizimit të institucioneve të rëndësishme të vendit.

Në mbledhjen e sotme, e 39-ta me radhë, kryeministri Ramush Haradinaj, falënderoi Kuvendin e Kosovës për miratimin në lexim të dytë të projektligjeve të parashikuara me Axhendën për Reformë Europiane (ERA) dhe Raportin për vendin, pako kjo të cilën Kuvendi me procedurë të përshpejtuar dhe shmangie nga afatet procedurale e ka miratuar, në seancën plenare të mbajtur më 30/03/2018.

Kryeministri Haradinaj bashkë me kabinetin qeveritar aprovuan edhe projektligjin për Institucionet Mikrofinanciare, qëllimi i të cilit është rregullimi i licencimit, veprimtarisë dhe mbikëqyrjes së institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare në Republikën e Kosovës.

Gjithashtu, u aprovua Udhëzimi Administrativ për Planifikimin dhe Hartimin e Dokumenteve Strategjike dhe Planeve të Veprimit, i cili ka për qëllim të krijojë praktikë unike në procesin e planifikimit dhe hartimit të dokumenteve strategjike ashtu siç është përkufizuar me Rregulloren e Punës së Qeverisë së Kosovës, nëpërmjet vendosjes së kritereve dhe metodologjisë së unifikuar, si dhe përcaktimit të detajuar të të gjithë hapave procedural rreth përgatitjes dhe miratimit të dokumenteve strategjike.

Në mbledhjen e sotme u aprovua edhe Rregullorja për Menaxhimin e Projekteve në Fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, përmes së cilës bëhet përcaktimi i standardeve dhe rregullave unike për inicimin, planifikimin, ekzekutimin, monitorimin dhe kontrollin, si dhe përmbylljen e procesit të menaxhimit të projekteve në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, në institucionet e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës mori vendim për themelimin e Grupit Teknik të Punës me qëllim të propozimit të zhvillimit të Minierës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe miratoi nismën për negocimin e Marrëveshjes me Republikën e Shqipërisë lidhur me njohjen reciproke të patentë shoferëve.

Po ashtu, u aprovua Nisma për negocimin e Marrëveshjes me qeverinë e Mbretërisë së Arabisë Saudite, për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë dhe Parandalimin e Evazionit Fiskal lidhur me Tatimin në të Hyra dhe Kapital, e cila do të zbatohet për tatimet në të hyra të vëna në emër të Shtetit Kontraktues apo të nëndivizioneve të saj politike apo autoriteteve lokale, pavarësisht mënyrës se si vjelën ato.

Qeveria e Kosovë aprovoi gjithashtu edhe Nismën për negocimin e Marrëveshjes me Dukatën e Madhe të Luksemburgut lidhur me Projektin “Mbështetje për Reformën e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë, e cila do të arrijë shumën deri në 5 milionë euro, në bazë të granteve./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.